

TIRANË – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur pezullimin e hetimeve lidhur me kallëzimin e depozituar nga Ajshe dhe Muharrem Haklaj ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe 15 personave të tjerë, për vrasjen e katër vëllezërve Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj.
Vendimi është marrë nga prokurorja Elida Kaçkini, e cila pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe marrjes në pyetje të disa personave, ka kaluar materialet pranë Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera për kryerjen e veprimeve të mëtejshme dhe gjetjen e provave.
Mirëpo, ky vendim është kundërshtuar nga familja Haklaj, e cila i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një ankim për vijimin e hetimeve mbi kallëzimin e depozituar në korrik të vitit 2021. Ankimi pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Etleva Deda.
Në kallëzimin e tyre, familjarët akuzojnë ish-kryeministrin Sali Berisha si urdhërues të vrasjeve, si dhe 15 persona të tjerë si pjesë përbërëse të një grupi të armatosur dhe organizate kriminale. Akuza të ngritura përfshijnë vrasjen me paramendim, krijimin e bandës së armatosur, si dhe kryerjen e akteve terroriste.
Përfaqësuesi ligjor i familjes, avokati Idajet Beqiri, ka pretenduar se disponoheshin prova, dokumente, materiale filmike dhe dëshmi për zbardhjen e ngjarjeve, ndërsa vetë Ajshe dhe Muharrem Haklaj kishin dëshmuar për disa orë në SPAK.
Vrasjet e katër vëllezërve Haklaj ndodhën gjatë një periudhe trevjeçare në Tropojë: Shkëlqim Haklaj u vra më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës; Halil Haklaj më 4 gusht 1999; Fatmir Haklaj më 4 nëntor 1999 në Bujan; dhe Ylli Haklaj më 3 dhjetor 2000 me snajper.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






