

TIRANË – Historiania dhe autorja e njohur Elena Kocaqi, e ftuar në emisionin “S’e Luan Topi” përballë moderatores Erjona Rusi, ka rrëfyer periudhën më të vështirë në jetën e saj, duke folur për tronditjen e madhe që i shkaktoi humbja e babait dhe vëllait të saj, Altinit.
Ajo tregoi se i ati humbi jetën si pasojë e një aksidenti që pësoi në shtëpi pasi u godit nga një makinë, duke qëndruar për dy muaj në spital në gjendje të rëndë. Kocaqi u shpreh se la çdo angazhim për t’i shërbyer deri në momentet e fundit, ndërsa kujton me dhimbje bisedat dhe lidhjen e fortë shpirtërore me të.
Gjatë intervistës, Elena Kocaqi u shpreh:
“Kam qenë shumë e lidhur me babin, ikja e tij ka qenë shokuese. Babi pësoi aksident në shtëpi, nuk ishte i sëmurë, ishte 82 vjeç dhe i mbajtur, e goditi një makinë. Kemi qëndruar dy muaj në spital. Lashë gjithçka për t’u kujdesur për të. Nuk e di se si e kam mbledhur veten. Pas vdekjes më ka dalë babi në ëndërr, i qeshur. Kur kam një siklet, më del në ëndërr babi dhe në mëngjes them do shkojë çdo gjë mirë. Gjatë kohës që ishte i sëmurë i thoja se do të bëhej më mirë, por një ditë më puthi duart dhe më tha ‘të keqën babi ti duhet të ngushëllohesh se babi do të ikë’. E parandiente. Ai sa vinte e bëhej më keq. Ka qenë një tronditje e fortë për mua. Me babin mund të bëja muhabet për dashurinë, për jetën, për historinë, për të gjitha. Deri në moment të fundit nuk e kam pranuar. Ka qenë e tmerrshme, tronditja më e madhe që kam kaluar në jetën time. Kam qenë shumë e lidhur. Do më mungojë shumë në vitet në vazhdim se nuk ma zëvendëson njeri. Nuk mi zëvendëson njeri bisedat me të dhe këshillat.”
Përveç humbjes së babait, autorja foli edhe për ndarjen nga jeta të vëllait të saj në vitin 2017, me të cilin ndante pasionin për shkencën dhe historinë.
Lidhur me humbjen e vëllait, ajo tha:
“Ti e di se si është motra për vëllain, merr rolin e nënës. Dashuria që ka motra për vëllain është në rolin e nënës.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






