

MALLAKASTËR – Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër kanë arrestuar në flagrancë një 33-vjeçar, i cili akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Në pranga ra shtetasi D. K., 33 vjeç, banues në Ballsh. Nga hetimet e kryera për zjarrin e rënë ditën e djeshme në fshatin Mollaj, dyshohet se 33-vjeçari ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e tij. Për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi në sipërfaqet e tokave përreth, duke dëmtuar me dhjetëra rrënjë ullinj si dhe duke djegur çatinë e një banese.
Për shuarjen e vatrave u angazhuan shërbimet e Policisë dhe ato të shërbimit zjarrfikës, të cilat bënë të mundur neutralizimin e flakëve pa pasoja për jetën e njerëzve.
Lidhur me rastin, Drejtoria Vendore e Policisë Fier doli me një apel zyrtar për qytetarët:
“Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin. Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetje bujqësore apo kryejnë pastrimin e tokave dhe territoreve nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi mund të shkaktojnë përhapje të pakontrolluar të zjarreve.”
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






