Transmetuar më 04-10-2026, 09:30

TIRANË – Një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, është arrestuar nga Policia e Shtetit në zonën e Saukut në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

I arrestuari është identifikuar si shtetasi Orando Çeta (alias Ceta), 40 vjeç, banues në kryeqytet. Kapja e tij u realizua në kuadër të operacionit policor të koduar “FAST”, i zhvilluar nga Sektori për Kërkimin FAST Albania në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Gjykata e Apelit e Triestes në Itali e ka dënuar 40-vjeçarin me 21 vjet, 9 muaj e 20 ditë burgim për një sërë veprash të rënda penale, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 20 vjet, 6 muaj e 14 ditë.

Lidhur me aksionin, Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht:

“Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “FAST”. Kapet në Tiranë një person i kërkuar nga Italia, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar me 21 vjet e 9 muaj e 20 ditë burgim për disa vepra të rënda penale. Shërbimet Operacionale të Sektorit për Kërkimin FAST Albania, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “FAST”, lokalizuan në zonën e Saukut, Tiranë, kapën dhe arrestuan, me qëllim ekstradimi, shtetasin Ornado Çeta alias Ceta, 40 vjeç, banues në Tiranë. Gjykata e Apelit e Triestes, Itali, e ka dënuar me 21 vjet, 9 muaj e 20 ditë burgim, për veprat penale “Vjedhje të rënda”; “Mashtrim”; “Trafikim të lëndëve narkotike”; “Posedim të pasurisë me origjinë kriminale”; “Plagosje”; “Kanosje”; “Kundërshtim ndaj punonjësve të policisë”. Nga dënimi i dhënë, i kanë mbetur për të vuajtur 20 vjet, 6 muaj e 14 ditë burgim. Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për të finalizuar procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.”

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit