

TENNESSEE – Kreu i sistemit të burgjeve në Tennessee, Frank Strada, do të japë dorëheqjen nga detyra gjatë këtij muaji, pas dështimit të ekzekutimit të të dënuarës me vdekje Christa Pike. Lajmi është konfirmuar nga guvernatori i shtetit, Bill Lee, i cili ka urdhëruar një shqyrtim të pavarur mbi ngjarjen.
Pike u transportua me urgjencë në spital pas përpjekjes së dështuar për ekzekutim, ku sipas avokatëve të saj mbeti pa ndjenja dhe nën ventilim mekanik. Stafi mjekësor punoi për t’i shpëtuar jetën dhe për të larguar nga trupi i saj dy dozat e pentobarbitalit, ilaqit që përdor shteti për injeksionin vdekjeprurës.
Në deklaratën e tij zyrtare lidhur me dorëheqjen, Strada u shpreh:
“Unë besoj se ky shqyrtim është plotësisht i përshtatshëm dhe i nevojshëm dhe mezi pres të bëj gjithçka që mundem për të ndihmuar në përcaktimin e saktë të asaj që ka ndodhur.”
Ndërsa Strada deklaroi se shteti “i kreu përgjegjësitë e tij në përputhje me protokollin e përcaktuar”, mbrojtja ligjore e të dënuarës ngriti akuza për gabime teknike gjatë procesit. Në dosjen gjyqësore, avokatët e saj shkruajnë:
“Me sa duket, në asnjë moment asnjë anëtar i ekipit të ekzekutimit nuk e kuptoi se linjat intravenoze nuk ishin vendosur saktë ose se venat ishin dëmtuar dhe se pentobarbitali, tërësisht ose pjesërisht, po hynte në trupin e znj. Pike.”
Christa Pike u dënua me vdekje për torturimin dhe vrasjen e shoqes së saj të klasës, Colleen Slemmer, në vitin 1995 kur ishte vetëm 18 vjeç. Dështimi i ekzekutimit të saj ka nxitur reagime të forta nga të dyja palët e debatit mbi dënimin me vdekje në SHBA.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






