

KORÇË – Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e regjistruar në një kopsht në Korçë, ku gjashtë fëmijë të moshës 4-vjeçare janë dërguar në spital me dyshime për intoksikim ushqimor.
Fëmijët e grupit të dytë janë paraqitur në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Korçës pak orë pasi kishin konsumuar drekën. Pasi kanë shfaqur probleme shëndetësore, kanë qenë vetë prindërit ata që kanë ngritur dyshimet për një helmim të mundshëm dhe i kanë dërguar fëmijët për ndihmë mjekësore, ku raportohet se gjendja e tyre nuk është e rëndë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Korçë, Mikel Llogori, i cili bëri me dije se janë marrë të gjitha analizat përkatëse. "Në këtë fazë nuk mund të përcaktohet nëse bëhet fjalë për helmim ushqimor apo për një situatë tjetër infektive", deklaroi Llogori, duke shtuar se shkaku i saktë do të përcaktohet vetëm pas daljes së rezultateve.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka nisur hetimet zyrtare për verifikimin e ushqimit të konsumuar, si dhe të kushteve higjieno-sanitare në të cilat ai është përgatitur dhe shërbyer brenda kopshtit.


Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






