Transmetuar më 03-10-2026, 18:28

Polic ditën, komedian në skenë, shqiptari Luan sjell në Gjermani historitë mes dy kulturave

Një polic shqiptar që prej vitesh ka fituar publik edhe si komedian po vazhdon turneun e tij në Gjermani me një format të veçantë, ku humori ndërthuret me përvojat e jetës mes kulturës shqiptare dhe asaj gjermane.

Luan u ngjit më 2 tetor në skenën e Theaterhaus Stuttgart me spektaklin e tij të tretë solo, “Glaub halt net!”, ndërsa më 3 tetor shfaqja vijon në Friedrichshafen. Programi në Stuttgart ishte konceptuar posaçërisht si një mbrëmje dygjuhëshe, në gjermanisht dhe shqip.

Faqet gjermane të eventeve e prezantojnë Luanin si polic, familjar, “Schwabe und Albaner”, një ndërthurje identitetesh që është bërë edhe baza e materialit të tij humoristik. Në skenë ai sjell histori nga puna në polici, jeta familjare, fëmijëria dhe përvojat si shqiptar i rritur në Stuttgart.

Vetë ideja e “Glaub halt net!” lidhet me reagimin që, sipas tij, merr shpesh kur tregon episode të pazakonta nga jeta. Në shqip kjo frymë përkthehet afërsisht me shprehjen “Hajt, mos rrej”, e cila përdoret edhe në përshkrimin e programit.

Shfaqja synon veçanërisht publikun që njeh të dyja kulturat dhe luan me dallimet mes disiplinës tipike gjermane dhe spontanitetit shqiptar. Pjesë e programit janë edhe personazhet e tij të njohura Dirk, Ivica dhe Fatmir.

Pas Stuttgartit, Luan performon mbrëmjen e 3 tetorit në Kulturhaus Caserne në Friedrichshafen, ndërsa turneu vazhdon më tej në qytete të tjera gjermane.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit