Transmetuar më 03-10-2026, 17:33

Bolzano, Itali – Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në provincën e Bolzanos në kuadër të një hetimi të gjerë për trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës në zonën e Burgraviatos.

Masat e sigurisë u ekzekutuan nga Guardia di Finanza me urdhër të gjykatës së Bolzanos. Dy shqiptarët jetonin prej kohësh në zonë, ndërsa hetimi përfshin gjithsej katër persona të dyshuar për role të ndryshme në aktivitetin e narkotikëve.

Hetimi është zhvilluar nga prilli i vitit 2025 deri në prill të vitit 2026 dhe nisi pas arrestimit të një shtetasi serb, të cilit iu gjetën 1.216 gramë kokainë, materiale paketimi dhe 7.500 euro cash. Analiza e telefonit të tij i çoi hetuesit drejt personave të tjerë të dyshuar.

Sipas rindërtimit të prokurorisë, pas arrestimit të parë grupi dyshohet se riorganizoi aktivitetin duke zëvendësuar personin që merrej me shitjen në rrugë.

Në mars të këtij viti një tjetër person u arrestua në Merano me rreth 914 gramë kokainë dhe 2.750 euro. Hetuesit thonë se më pas janë dokumentuar edhe shitje të tjera për të paktën 2 kilogramë kokainë.

Një nga elementet më të veçanta të hetimit janë tre garazhe në zona të ndryshme të Meranos, të cilat sipas Guardia di Finanza-s përdoreshin për ruajtjen, paketimin dhe lëvizjen e drogës.

Nga përgjimet e nxjerra sot në median italiane, kanë dalë edhe biseda ku të dyshuarit flisnin për një aktivitet që mund të kishte vazhduar prej afro pesë vitesh. Grupi dyshohet se përdorte numra telefoni të huaj, karta të regjistruara në emër të personave të tjerë dhe pajisje të kriptuara për të vështirësuar përgjimet.

Gjatë operacionit të fundit u kryen pesë kontrolle në Merano. Autoritetet sekuestruan doza kokaine, telefona celularë dhe 2.300 euro cash, të cilat dyshohet se janë të ardhura nga shitja e drogës. Për të gjithë të hetuarit vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit