Transmetuar më 03-10-2026, 17:19

Njëra prej viktimave ishte pesë muajshe shtatzënë dhe priste vajzën e saj të parë, ndërsa çifti tjetër ishte martuar vetëm 25 ditë më parë. Vëllai i familjes Hoxha tregon momentet kur shpresa u kthye në tragjedi

Athinë – Detaje të reja tronditëse janë zbuluar pas shpërthimit fatal në Plaka të Athinës, ku mes gjashtë viktimave ishin edhe katër turistë amerikanë, tre prej tyre me origjinë shqiptare.

Klajd Hoxha, vëllai i Florin dhe Florida Hoxhës, ka rrëfyer përmasat e tragjedisë që goditi familjen e tij, duke treguar se brenda pak çastesh humbi dy vëllezër e motra dhe partnerët e tyre.

“Humba dy nga motrat e vëllezërit e mi dhe dy anëtarë të tjerë të familjes. Tani është më shumë se gjysma e familjes”, ka treguar ai, citon noa.al një raport të gazetës Proto Thema.

Viktimat ishin Florin Hoxha, 36 vjeç, partnerja e tij Eris Çani, 39 vjeçe, Florida Hoxha, 34 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj Ian Kirkpatrick, 37 vjeç. Të katërt ndodheshin në Athinë dhe kishin planifikuar të ktheheshin në Nju Jork ditën kur ndodhi shpërthimi.

Tragjedia bëhet edhe më e rëndë nga një detaj i zbuluar nga familja: Eris Çani ishte pesë muajshe shtatzënë dhe priste fëmijën e parë me Florin Hoxhën. Çifti priste një vajzë.

Ndërkohë, Florida Hoxha dhe Ian Kirkpatrick kishin vetëm 25 ditë që ishin martuar. Familja kishte festuar së fundmi martesën e tyre, ndërsa çifti kishte udhëtuar edhe në Meksikë pas ceremonisë.

Klajdi ka treguar se kishte komunikuar me Florin dhe Floridën mbrëmjen përpara shpërthimit. Prindërit gjithashtu flisnin çdo ditë me fëmijët e tyre, pa e imagjinuar se ajo do të ishte biseda e fundit.

Familja u alarmua pasi mori një telefonatë nga Ambasada Amerikane në Greqi. Në fillim, të afërmit vazhduan të shpresonin se katër personat mund të kishin mbijetuar nën rrënoja.

Të katërt kishin rezervuar fluturimin drejt Nju Jorkut për orën 15:00. Kur familja kontaktoi kompaninë ajrore, mësoi se asnjëri prej tyre nuk ishte paraqitur për të hipur në avion. Klajdi dhe të afërmit udhëtuan menjëherë drejt Athinës, ende me shpresën se do t’i gjenin gjallë.

Më pas erdhi konfirmimi që familja druhej të dëgjonte.

Klajdi e ka përshkruar humbjen si një shkatërrim të plotë. Florinin, me të cilin kishte ngritur së bashku një kompani ndërtimi në Westchester të Nju Jorkut, e cilësonte edhe si mikun e tij më të mirë. Florida ishte juriste dhe aktive në komunitetin shqiptar në SHBA, ndërsa Ian kishte nisur të mësonte shqip për të komunikuar me gjyshen e bashkëshortes dhe familjarët e saj.

Familja ndodhet ende në pritje të përfundimit të procedurave për kthimin e trupave në Shtetet e Bashkuara dhe kërkon përgjigje për shkakun e shpërthimit. Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar saktësisht se çfarë e shkaktoi tragjedinë. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit