

Tensioni nisi në palestrën e burgut dhe brenda pak minutash degjeneroi në një përleshje masive me sende metalike dhe thikë artizanale. Dy shqiptarë, 38 dhe 39 vjeç, janë mes tre personave të lënë në paraburgim, ndërsa një tjetër shqiptar rezulton mes të plagosurve
Një përleshje e dhunshme mes të burgosurve në burgun e Domokos në Greqi ka përfunduar me shtatë persona të plagosur, ndërsa dy shqiptarë janë mes tre të dënuarve që u dërguan para hetuesit dhe u lanë në paraburgim për përfshirjen e tyre në incident.
Ngjarja ndodhi pasditen e 29 shtatorit në krahun G1 të burgut dhe sor kanë dalë informacione të reja e zyrtare. Sipas raportimeve të mediave greke, gjithçka nisi kur një grup të burgosurish algjerianë iu afruan në mënyrë kërcënuese disa shqiptarëve që ndodheshin në palestrën e repartit.
Punonjësit e burgut ndërhynë fillimisht për të qetësuar situatën, por zhurmat dhe tensioni alarmuan të burgosurit e tjerë. Një grup shqiptarësh arriti të zbriste drejt palestrës dhe aty shpërtheu një përleshje masive.
Gjatë konfliktit u përdorën pjesë metalike, sende të palestrës dhe të paktën një thikë artizanale.
Pas përplasjes, tre persona u konsideruan ndër protagonistët kryesorë të ngjarjes: një 29-vjeçar afgan dhe dy shqiptarë, 38 dhe 39 vjeç. Të tre janë të dënuar me burgime të gjata për krime kundër jetës.
Ata u dërguan pardje më 1 tetor, nën masa të forta sigurie, në gjykatën e Lamias. Pas dëshmive të tyre, hetuesi dhe prokurori vendosën që të tre të mbeten në paraburgim për përfshirjen në përleshje.
Bilanci i incidentit ishte i rëndë. Shtatë të burgosur mbetën të plagosur: pesë algjerianë të moshave 41, 35, 29, 29 dhe 26 vjeç, një sirian 38 vjeç dhe një shqiptar 38 vjeç.
Gjendja më e rëndë paraqitet për një 29-vjeçar algjerian, i cili ka pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe një plagë me thikë. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale disaorëshe dhe më pas u shtrua në terapi intensive.
Një tjetër 29-vjeçar algjerian po trajtohet në repartin kirurgjikal pasi gjithashtu është goditur me një objekt të mprehtë.
Sipas të dhënave të deritanishme, 29-vjeçari afgan dyshohet se gjatë përleshjes ka vepruar në anën e grupit të shqiptarëve dhe se është personi që ka përdorur thikën artizanale ndaj disa prej të burgosurve kundërshtarë. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






