

Tragjedia në Plaka, tre shqiptarë mes gjashtë viktimave të shpërthimit që shembi ndërtesën
Detaje të reja janë bërë publike për viktimat e shpërthimit të fuqishëm që tronditi zonën e Plakës në Athinë mëngjesin e 25 shtatorit dhe shkaktoi shembjen e një ndërtese.
Në raportimet e sotme për shpërthimin fatal në Athinë u publikuan dëshmi të reja nga familja Hoxha. Klajd Hoxha, vëllai i Florin dhe Florida Hoxhës, dy prej viktimave të shpërthimit në Plaka, ka treguar se familja u njoftua fillimisht nga Ambasada Amerikane në Greqi dhe se deri në fund shpresonin që të afërmit e tyre të ishin gjallë.
Katër viktimat, Florin Hoxha, partnerja e tij Eris Çani, Florida Hoxha dhe bashkëshorti i saj Ian Kirkpatrick, kishin planifikuar të ktheheshin në Nju Jork po atë ditë. Kur Klajdi kontaktoi kompaninë ajrore, mësoi se asnjëri prej tyre nuk ishte paraqitur në fluturimin e rezervuar.
Ai e përshkruan momentin kur familja kuptoi përmasat e tragjedisë me fjalët:
“Kuptuam se kjo ishte reale. Nuk ishte film, as makth.”
Dhe më pas shtoi: “Humba dy motra e vëllezër dhe dy anëtarë të tjerë të familjes. Në thelb, më shumë se gjysmën e familjes sime.”
E për më tepër një detaj i ri u bë publik orët e fundit: Eris Çani ishte pesë muajshe shtatzënë dhe priste fëmijën e parë me Florin Hoxhën, një vajzë. Klajdi e përshkroi atëx si “mbesën time të ardhshme”.
Florida Hoxha dhe Ian Kirkpatrick ishin martuar vetëm 25 ditë para shpërthimit. Sipas dëshmisë së Klajdit, familja sapo kishte festuar martesën e tyre.
Klajdi ka treguar edhe se kishte folur me Florin dhe Floridën mbrëmjen para shpërthimit, ndërsa prindërit e tyre komunikonin me ta çdo ditë. Florin ishte edhe partneri i tij në një kompani ndërtimi në Westchester, Nju Jork, dhe Klajdi e përshkroi si mikun e tij më të mirë.
Për Floridën, ai tha se ishte juriste dhe punonte në një organizatë jofitimprurëse, ndërsa ishte aktive edhe në komunitetin shqiptar në SHBA dhe drejtonte Albanian Professional Entrepreneurs Networking. Ian, megjithëse nuk ishte shqiptar, kishte nisur të mësonte shqip që të komunikonte me gjyshen e Floridës dhe pjesëtarë të tjerë të familjes.
Për hetimin, familja nuk ka drejtuar akuza ndaj askujt. Klajdi tha se duan vetëm të mësojnë saktësisht çfarë ndodhi: “Nuk fajësojmë askënd, duam vetëm të dimë çfarë ndodhi.” Ai ndodhej ende në Athinë duke pritur procedurat për kthimin e trupave në SHBA.
Dinamika e tragjedisë
Nga katër turistët amerikanë që humbën jetën, tre ishin me origjinë shqiptare: Florida Hoxha, Florin Hoxha dhe Eris Çani. Vetë shpërthimi kishte ndodhur më 25 shtator, por zhvillimet dhe dëshmitë e reja janë të këtyre ditëve.
Gjashtë persona humbën jetën, mes tyre katër turistë amerikanë që qëndronin në një apartament me qira afatshkurtër në katin e parë të godinës.
Sipas mediave greke, viktimat ishin Florida Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick, si dhe Eris Çani dhe bashkëshorti i saj, Florin Hoxha.
Tre prej katër turistëve ishin me origjinë shqiptare dhe kishin marrë shtetësinë amerikane.
Florida Hoxha dhe Ian Alexander Kirkpatrick ishin martuar së fundmi, ndërsa grupi kishte planifikuar të largohej nga Greqia pikërisht ditën e shpërthimit.
Ishin orët e fundit të qëndrimit në Greqi që u kthyen dhe në orët e fundit të jetës për disa prej tyre. Katër turistët kishin rezervuar një fluturim mesditën e së premtes për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara, por nuk u paraqitën kurrë në aeroport.
Në shpërthim humbën jetën edhe dy të moshuar britanikë, një çift që banonte në mënyrë të përhershme në katin e dytë të ndërtesës.
Hetimet për shkakun e shpërthimit vijojnë, ndërsa ekspertët po kontrollojnë edhe qëndrueshmërinë e ndërtesave fqinje.
Një nga pistat që po shqyrtohet është rrjedhja e gazit, megjithëse sipas operatorit të rrjetit të shpërndarjes nuk është konstatuar ndonjë rrjedhje në sistemin publik.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu mundësinë që shpërthimi të jetë shkaktuar nga një bombol propani. Fuqia e shpërthimit, sipas vlerësimeve paraprake, mund të jetë më e përshtatshme me këtë skenar sesa me një rrjedhje të zakonshme të gazit natyror.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse burimi i shpërthimit ndodhej në apartamentin e çiftit të moshuar apo në banesën Airbnb ku qëndronin katër turistët. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






