Transmetuar më 03-10-2026, 16:32

Policia greke arrestoi në Pire 27-vjeçarin afgan të përfshirë në përplasjen me armë ku ishte edhe Alket Rizai. Në banesën ku qëndronte u gjetën armë, para dhe drogë, ndërsa Rizai vijon të jetë në arrati

Policia greke ka arrestuar në Pire një 27-vjeçar afgan, i identifikuar si një nga personat e përfshirë në përplasjen me armë të ndodhur më 13 shtator jashtë një beach bar-i në Anavyssos, ku ishte i përfshirë edhe shqiptari Alket Rizai.

27-vjeçari u lokalizua pas hetimeve dhe informacioneve të grumbulluara nga strukturat e policisë greke. Arrestimi u krye gjatë një operacioni në një apartament në Pire, në prani të një prokurori dhe me pjesëmarrjen e forcave speciale.

Ndaj tij ishte lëshuar urdhër arresti për tentativë vrasjeje, armëmbajtje të paligjshme dhe përdorim arme zjarri.

Sipas policisë, 27-vjeçari punonte si roje në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe dyshohet se gjatë përplasjes ka qëlluar me armë drejt një personi tjetër. Nga të shtënat mbetën të plagosur dy persona që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.

Gjatë kontrollit në apartamentin ku qëndronte përkohësisht, policia sekuestroi një pistoletë me fishek në fole dhe karikator me 12 fishekë, një thikë, 4.3 gramë kanabis, telefona celularë, karta SIM dhe 8.600 euro.

Për këtë arsye, ndaj tij janë ngritur edhe akuza të tjera që lidhen me armët dhe lëndët narkotike.

Sipas autoriteteve greke, 27-vjeçari ishte proceduar edhe më herët për çështje që lidhen me organizatë kriminale, drogë dhe hyrje të paligjshme në Greqi.

Ngjarja që çoi në arrestimin e tij ndodhi në orët e para të mëngjesit të 13 shtatorit. Policia u njoftua për të shtëna me armë rreth orës 05:15. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, nuk gjetën personat e përfshirë, por vetëm dy gëzhoja dhe njolla gjaku.

Më vonë, autoritetet u informuan se në Qendrën Shëndetësore të Kalyvia-s kishin mbërritur dy të plagosur, një 20-vjeçar grek me dëmtime nga copat e xhamit në kyçin e këmbës dhe një 41-vjeçar pakistanez me plagë plumbi në këmbë.

Nga hetimet rezultoi se përplasja kishte nisur pas një debati për muzikën jashtë lokalit. Sipas hetuesve, Alket Rizai ndodhej në ambient së bashku me dy persona të tjerë. Pas një konflikti verbal dhe fizik, situata degradoi deri në nxjerrjen e armëve.

Hetimet dyshojnë se Rizai ka nxjerrë armën, ndërsa 27-vjeçari afgan ka qëlluar në drejtim të tij. Plumbat kanë devijuar dhe kanë plagosur dy punonjës të lokalit.

Pas incidentit, Rizai dhe dy personat që ndodheshin me të u larguan me automjet, ndërsa edhe 27-vjeçari ishte larguar nga vendngjarja.

Alket Rizai, i cili ndodhej jashtë burgut me leje, duhej të rikthehej mëngjesin e 14 shtatorit në burgun e Domokos, por nuk u paraqit. Që prej asaj kohe është shpallur në arrati dhe vijon të kërkohet nga autoritetet greke./noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit