

TIRANË — Çmimet botërore të ushqimeve kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë muajit shtator, duke arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2022.
Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve arriti mesatarisht në 136 pikë, nga 134 pikë që ishte në muajin gusht.
Kjo shënon rritjen e tretë mujore radhazi, ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, çmimet ndërkombëtare të ushqimeve rezultojnë 5,8% më të larta.
Shtrenjtimi është udhëhequr kryesisht nga drithërat, sheqeri dhe vajrat bimore, i ndikuar nga vështirësitë logjistike në rajonin e Detit të Zi dhe moti i thatë në disa zona të Amerikës së Veriut.
Çmimi i misrit pësoi një rritje prej 5,6% për shkak të shqetësimeve mbi prodhimin në Shtetet e Bashkuara dhe furnizimeve të kufizuara nga Brazili, ndërsa sheqeri u shtrenjtua me 6,1% si pasojë e pasigurive të krijuara nga fenomeni "El Niño".
Në krahun tjetër, vajrat bimore shënuan një rritje më të moderuar prej 0,9%, ndërsa çmimet e mishit ranë me 1,1% dhe produktet e qumështit shënuan një ulje të lehtë prej 0,1%.
Përveç kushteve klimatike, presioni mbi tregjet globale po nxitet edhe nga pengesat në transportin detar në Detin e Zi dhe Ngushticën e Hormuzit, të cilat kanë rritur kostot e energjisë dhe logjistikës.
Për vitin 2026, FAO parashikon një prodhim global të drithërave prej rreth 2 miliardë e 979 milionë tonësh, i cili, me gjithë uljen prej 2,1% krahasuar me vitin e kaluar, mbetet niveli i dytë më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






