Transmetuar më 03-10-2026, 13:45

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forte gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, duke denoncuar publikisht aktivitetin e biznesmenit izraelit Roni Yeffet dhe lidhjet e tij me zyrtarët më të lartë të qeverisë shqiptare.

Berisha bëri me dije se opozita ka përgatitur të gjitha materialet përkatëse dhe po informon në mënyrë të vazhdueshme aleatët ndërkombëtarë për këtë çështje.

"Ne kemi përgatitur çdo material dhe kemi informuar, dhe vazhdojmë të informojmë non-stop aleatët dhe miqtë tanë. E vërteta është që, Roni Yeffet, në bashkëpunim me Engjëll Agaçin dhe Belinda Ballukun, në bashkëpunim me Vlora Hysenin, ka kontrolluar gjithçka në këtë vend," deklaroi Berisha.

Lideri i opozitës u ndal te skema financiare, duke e cilësuar atë si një nga aferat më të mëdha korruptive që përfshin miliona euro nga buxheti i shtetit.

"Aktiviteti më kriminal i këtij njeriu, përveç kontrabandës që është një aktivitet kriminal, qëndron në faktin tjetër se Edi Rama i ka dhënë kësaj kompanie 40 milionë euro. Kompanisë së Roni Yeffet, Ardi Veliut dhe zonjës Puca," tha kreu i PD-së.

Në përmbyllje, Berisha shpjegoi mënyrën se si sipas tij funksiononte kjo skemë korruptive me blerjen e mjeteve përmes fondeve publike.

"Ata kanë blerë makina, të cilat i ka blerë po qeveria shqiptare. Imagjinoni, i japin paratë, blejnë makinat, makinat e blera ia shesin Edi Ramës. Ndajnë paratë me Edi Ramën pra, nuk ka skemë më korruptive sesa kjo," përfundoi Berisha.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit