Transmetuar më 03-10-2026, 13:43

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka detajuar çështjet kryesore të ngritura gjatë pjesëmarrjes së tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg.

Gjatë një bashkëbisedimi live me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha bëri me dije se fokusi kryesor i ndërhyrjeve të tij ishte denoncimi i situatës politike në vend dhe zhvillimeve gjeopolitike në rajon.

"Kjo ishte një javë në të cilën unë kam qenë kryesisht jashtë vendit, në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës. Qëndrimin në këtë asamble unë e përdora për të paraqitur realitetin shqiptar dhe mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë kudo që janë, për të mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe rajonit në këtë asamble. Përqendrimi im kryesor ishte denoncimi i narkoshtetit të Edi Ramës dhe superskandaleve të tij të pafundme," deklaroi Berisha.

Lideri i opozitës dënoi ashpër nderimet shtetërore e ushtarake gjatë funeralit të ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç, duke akuzuar drejtpërdrejt presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

"Denoncimi i nderimeve ushtarake që iu bënë në funeral Ratko Mlladiç nga padroni i Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, në një dhunim flagrant të 8300 djemve dhe burrave të pafajshëm që u ekzekutuan në Srebrenicë nga ky kasap i Bosnjes. Në tërësi këto ishin çështjet," u shpreh kreu i PD-së.

Gjithashtu, Berisha theksoi se gjatë punimeve në Strasburg ngriti edhe çështjen e proceseve gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

"Natyrisht u ndala edhe tek dënimet e ish-udhëheqjes së UÇK në Hagë, ku shpreha kërkesën time për një shqyrtim më transparent në apel të dosjeve të tyre dhe pa dyshim tek asimetria e plotë e kësaj gjykate në ndëshkimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Kosovë," përfundoi Berisha.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit