Transmetuar më 03-10-2026, 10:00

Një 21-vjeçar është arrestuar në Dibër, pasi dyshohet se vendosi një pajisje të dyshimtë në ambientet e një karburanti dhe kërcënoi pronarin se do ta shpërthente nëse nuk paguante 50 mijë euro.

Ngjarja është zbardhur brenda pak orësh nga Policia e Dibrës, në kuadër të operacionit të koduar “Kërcënimi”.

Sipas policisë, rreth orës 14:30 të 2 tetorit, i riu Engjëll K. dyshohet se vendosi në ambientet e një karburanti në pronësi të Zija Sh. një kuti të pajisur me ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar përshtypjen se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.

Mbi kuti ishte lënë edhe një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e 50 mijë eurove.

Shuma kërkohej të paguhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi dhe në adresën e përcaktuar nga autori i dyshuar.

Në mesazhin kërcënues pretendohej se kutia përmbante lëndë plasëse C4, se ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe sistem telekomandimi, si dhe se ambienti monitorohej me kamera.

Sipas policisë, kërcënohej se pajisja do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të vendosur, nëse kutia do të lëvizej apo nëse do të njoftoheshin autoritetet.

Në vendngjarje mbërritën edhe forcat speciale xheniere të RENEA-s, të cilat hapën dhe kontrolluan kutinë. Nga verifikimi rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese.

Pas hetimeve intensive, policia identifikoi dhe arrestoi në flagrancë 21-vjeçarin E. K., i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse në rast janë përfshirë edhe persona të tjerë. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit