

PEQIN – Një situatë e rëndë emergjence po kalon disa fshatra të Bashkisë Peqin, ku zjarret masive vazhdojnë të përhapen me intensitet të lartë. Flakët kanë shkrumbuar dhjetëra hektarë me ullishte, pemishte, arrorë e shkurre, ndërsa prioriteti kryesor i autoriteteve mbetet mbrojtja e jetës së banorëve dhe banesave.
Për përballimin e situatës, në ndihmë të zjarrfikësve të Peqinit janë mobilizuar mjete dhe trupa nga 10 bashki të tjera: Cërriku, Belshi, Gramshi, Fieri, Berati, Kuçova, Tirana, Kamza, Lushnja dhe Rrogozhina. Në operacionin që po kryhet nga toka dhe ajri janë përfshirë gjithashtu Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile.
Zona më kritike mbetet fshati Galush, ku zjarri vijon aktiv prej rreth 30 orësh. Për shkak të afrimit të shpejtë të flakëve pranë lagjeve të banuara, autoritetet kanë kërkuar evakuimin e banorëve. Vatra të fuqishme zjarri dhe dëme të konsiderueshme janë raportuar gjithashtu në fshatrat Gjevur, Pajovë dhe Bishqem.
Terreni i vështirë dhe erërat e forta po ndryshojnë vazhdimisht drejtimin e zjarrit, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve në terren. Operacioni për krijimin e perimetrit të sigurisë rreth shtëpive po vijon intensivisht në pikat më të rrezikuara të Qarkut të Elbasanit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






