

Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile nga aspekti ligjor nismës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke ia përcjellë vendimin Kuvendit për procedim të mëtejshëm.
Vendimi është marrë në mbledhjen elektronike të Qeverisë më 2 tetor, pas kërkesës që Kuvendi i kishte adresuar ekzekutivit më 23 shtator lidhur me Projektligjin nr. 11/L-001.
Në dokumentin e miratuar, Qeveria vlerëson se “nuk ka pengesa ligjore” për nismën që synon ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përgjigjja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor mbi përputhshmërinë e projektligjit me acquis të Bashkimit Evropian, vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin juridik për përmbajtjen e vetë projektligjit.
Vendimi, së bashku me mendimin përkatës të Qeverisë, i është përcjellë Kuvendit të Kosovës, ku nisma duhet të kalojë tashmë në procedurat parlamentare për shqyrtim dhe votim. Vetë vlerësimi i Qeverisë nuk nënkupton se ndryshimet në ligj janë miratuar përfundimisht.
Çështja e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara është ngritur me prioritet edhe në komisionet parlamentare. Më 30 shtator, disa deputetë kërkuan që projektligji të sillej sa më shpejt në Kuvend, ndërsa kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, kishte bërë të ditur se projektligji i ishte përcjellë Ministrisë së Drejtësisë për mendim ligjor dhe se pas kthimit do të shqyrtohej me urgjencë.
Vendimi i Qeverisë vjen në një periudhë kur debati rreth Dhomave të Specializuara është rikthyer fuqishëm në Kuvend. Më 28 shtator, deputetët miratuan me 99 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, një deklaratë lidhur me aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






