Transmetuar më 02-10-2026, 19:16

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte këtë të premte pasdite në Korçë, në kuadër të turit “Foltores së Ripërtëritjes”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha kritikoi qeverisjen e Edi Ramës, duke u ndalur te emigracioni, varfëria, çmimet dhe pensionet. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për keqmenaxhim dhe korrupsion, ndërsa bëri thirrje për mobilizimin e opozitës.

“PD dhe opozita kapërceu betejat e veta, por ato nuk ishin qëllim në vetvete. Ato kishin një qëllim, një opozitë të vërtetë, e cila të shndërrohej në lokomotivë të forcës së forcave opozitare dhe shpëtimit të Shqipërisë nga ky regjim. Ndaj dhe kjo Foltore e Ripërtëritjes është një apel, është një kushtrim për çdo qytetar, për të gjithë Korçën në këmbë. Për çdo pogradecar dhe Pogradecin në këmbë. Për Kolonjën dhe kolonjarët në këmbë. Për Devollin dhe devollinjtë në këmbë”, tha ai.

Berisha deklaroi se, sipas tij, emigracioni ka sjellë një pakësim të ndjeshëm të popullsisë shqiptare.

“Sot në Korçë, sot në Shqipëri lindin fëmijë aq sa ç’lindnin 100 vite më parë, kur Shqipëria në territorin e saj kishte gjithsej 1 milion banorë. Sot në 1 mijë shqiptarë rezidentë në Shqipëri, 466 janë të regjistruar në BE. Po të shtojmë këtu ata që jetojnë në vendet e tjera jashtë BE, ju garantoj se mbi 60 përqind e kombit nuk ndodhet më në Shqipëri”, tha Berisha.

Berisha u ndal më tej te situata ekonomike dhe çmimet, duke pretenduar se ato janë rritur më shumë se pagat.

“Isha në Strasburg, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u futa për kuriozitet në një market, absolutisht të gjitha çmimet, ose baras ose dy herë më të ulëta se këtu. Po rrogat e francezëve janë të paktën pesë herë më të larta se tonat.”

Në përfundim, Berisha tha se opozita do të synojë, sipas tij, të ndryshojë situatën sociale dhe ekonomike në vend, duke u ndalur te ajo që e cilësoi si humbje të “bashkëndjesisë” në shoqëri.

“Ne do ta përmbysim në mënyrën më emergjente këtë situatë.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit