

PESHKOPI – Një biznes privat në dalje të qytetit të Peshkopisë është bërë objekt i një kërcënimi serioz për gjobëvënie, ku pronarit të subjektit i është kërkuar një sums prej 50 milionë lekësh me paralajmërimin se në të kundërt objekti do t’i hidhej në erë.
Sipas të dhënave paraprake, autorët i kanë dërguar pronarit një kuti picash, brenda së cilës ndodhej letra me kërkesën financiare së bashku me materiale që dyshohet se përbënin një lëndë apo pajisje artizanale eksplozive. Pas konstatimit të pakos së dyshimtë, forcat e Policisë rrethuan menjëherë zonën dhe mbajtën nën kontroll perimetrin e sigurisë për rreth tre orë, duke mbyllur subjektet tregtare pranë një karburanti aty pranë dhe duke devijuar qarkullimin e automjeteve përmes unazës së qytetit.
Në vendngjarje mbërritën specialistët e çminimit dhe neutralizimit të lëndëve eksplozive nga Tirana për kryerjen e veprimeve teknike dhe verifikimin e natyrës së materialeve. Në kuadër të hetimeve, Policia ka shoqëruar disa persona dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve, ndërsa pritet edhe njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






