

TIRANË – Banka e Shqipërisë ka përgatitur ndryshime rregullatore në funksionimin e sistemeve kombëtare të pagesave AIPS, AIPS Euro dhe AECH, me qëllim dhënien e aksesit të drejtpërdrejtë për institucionet financiare jo-banka, si ato të pagesave dhe të parasë elektronike.
Miratimi i rregulloreve të reja pritet të bëhet menjëherë pas votimit në Kuvendin e Shqipërisë të ndryshimeve në ligjin “Për sistemin e pagesave”, çka do të krijojë bazën e nevojshme ligjore. Kjo ndërhyrje vjen si përgjigje ndaj kërkesave të vazhdueshme të institucioneve jo-bankare pas transpozimit të Direktivës Europiane të Pagesave (PSD 2), duke synuar vendosjen e një konkurrence të barabartë në treg, ku deri më tani shlyerja e pagesave garantohej me akses direkt vetëm nga bankat tregtare.
Në kuadrin ekzistues, pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë që kryejnë transaksione direkte nga llogaritë e tyre të shlyerjes kufizoheshin te Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare, ndërsa institucionet financiare jo-banka klasifikoheshin si pjesëmarrës të tërthortë duke përdorur llogaritë e bankave tregtare. Me hyrjen në fuqi të kuadrit të ri, institucionet e pagesave dhe të parasë elektronike do të gëzojnë statusin e pjesëmarrësit direkt në sistemet kryesore kombëtare, si dhe në sistemin e ri të pagesave të menjëhershme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






