

LAVRIO – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën Kavodocanos të Lavrios në Greqi, ku një 32-vjeçar me shtetësi rumune ka hyrë me forcë në banesën e ish-partneres së tij dhe ka sulmuar me thikë atë dhe partnerin e saj të ri.
Sipas të dhënave të policisë greke, autori është ngjitur në ballkonin e banesës dhe ka thyer xhamin e derës me çekiç për të depërtuar brenda. Nga sulmi me armë të ftohtë, ish-partnerja e tij 32-vjeçare ka marrë plagë të rënda në shpinë, mushkëri dhe gjymtyrë, ndërsa partneri i saj 33-vjeçar ka pësuar dëmtime në zorrë, brinjë dhe organet gjenitale. Të dy të dëmtuarit ndodhen në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa në momentin e ngjarjes brenda në banesë ndodheshin edhe dy fëmijët e tyre të mitur të moshës 2 vjeç e gjysmë dhe 1 vjeç e gjysmë.
Autori i sulmit ishte një emër i njohur për drejtësinë vendase, pasi viktima e kishte denoncuar disa herë për dhunë në familje. Përveç rasteve të mëparshme, ai ishte arrestuar edhe gjatë muajit shtator për kërcënime dhe armëmbajtje pa leje, ku iu sekuestrua një mjet prerës dhe një shufër. Pas kryerjes së krimit, 32-vjeçari është dorëzuar vetë në strukturat policore të Lavreotikut, ku ndaj tij është ngritur akuza për tentativë vrasjeje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






