Transmetuar më 02-10-2026, 08:03

TIRANË – Rreth 41% e shqiptarëve deklarojnë se nuk kanë mundësi financiare për të përballuar blerjen e një automjeti personal, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat. Kjo shifër e rendit Shqipërinë në krye të rajonit për pamundësinë e blerjes së një makine, duke u shkëputur ndjeshëm nga mesatarja e Bashkimit Europian prej vetëm 5.5%.

Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia regjistron një shkallë pamundësie prej 15%, Maqedonia e Veriut 13% dhe Mali i Zi vetëm 8.9%. Kategoria më e prekur në Shqipëri përbëhet nga personat që jetojnë vetëm, ku 88% e grave dhe 66% e burrave në këtë grup deklarojnë pamundësi financiare për zotërimin e një mjeti.

Pavarësisht këtij treguesi, stoku i automjeteve në vend ka pësuar rritje përgjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në Shqipëri numërohen 847 mijë autovetura personale në qarkullim, çka përkthehet në 360 mjete për 1,000 banorë. Kjo shifër e vendos vendin në pozitën e tretë në rajon pas Malit të Zi dhe Serbisë, por mbetet sërish nën mesataren e Bashkimit Europian prej 578 makinash për 1,000 banorë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit