

TIRANË – Tregu i produkteve të ndërtimit në Shqipëri pritet t’i nënshtrohet një regjimi të ri kontrolli, certifikimi dhe gjurmueshmërisë përmes projektligjit të ri “Për tregtimin e produkteve të ndërtimit”, i cili përafron pjesërisht Rregulloren e Bashkimit Europian 2024/3110. Nisma ligjore e hedhur për konsultim publik përcakton rregulla të reja për prodhuesit, importuesit dhe shpërndarësit me synim mbylljen e boshllëqeve teknike përpara integrimit të vendit në bllokun europian.
Dokumenti përcakton se markimi CE, i cili certifikon performancën dhe sigurinë e produkteve sipas kërkesave të harmonizuara europiane, nuk do të jetë i detyrueshëm për prodhuesit vendas deri në ditën e anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në BE, me përjashtim të rasteve kur kjo gjë përcaktohet më herët përmes një marrëveshjeje të dypunshme. Ky kalim gradual parashikohet për t’i dhënë kohë industrisë vendase të rrisë kapacitetet teknike e financiare, ndërsa gjatë periudhës kalimtare funksionet e vlerësimit do t’i kryejnë "organet e miratuara" kombëtare, ku Instituti i Ndërtimit do të veprojë si i tillë për një periudhë dyvjeçare.
Projektligji parashikon gjithashtu se standardet e harmonizuara shqiptare të performancës do të bëhen të detyrueshme një vit pas miratimit me Vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa kërkesat e caktuara për ndikimin mjedisor do të zbatohen gradualisht në faza të caktuara deri në vitin 2032. Operatorët ekonomikë do të përballen me detyrime të shtuara për hartimin e deklaratave të performancës dhe konformitetit, përfshirjen e të dhënave në gjuhën shqipe nga importuesit, si dhe përgatitjen për kalimin drejt pasaportës digjitale të produktit në platformën e Komisionit Europian.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






