Transmetuar më 01-10-2026, 22:15

BRUKSEL – Eldi Dizdari, i njohur gjithashtu me emrin Denis Matoshi dhe me pseudonimet “Alduth” e “Shqiptari i gjatë”, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës, ku do të vuajë dënimin me 10 vite burgim të dhënë nga drejtësia belge. 37-vjeçari, i konsideruar nga autoritetet si një prej figurave kryesore të kartelit shqiptar të kokainës “Kompania Bello”, u arrestua në Dubai dy vite më parë pas një kërkese ndërkombëtare për ekstradim.

Sipas të dhënave zyrtare, udhëtimi i tij u realizua nën masa të rrepta sigurie me mbërritje në aeroportin ushtarak të Melsbroek, nga ku u transferua menjëherë në një institucion penitenciar belg. Gjykata e Antwerp-it e ka dënuar Dizdarin me 10 vite burgim, gjobë prej 80 mijë eurosh, si dhe konfiskim të përfitimeve kriminale në vlerën e 7.5 milionë eurove në kuadër të dosjes "Yaramis", e cila lidhet me trafikun e kokainës nga porti i Antwerp-it.

Hetimet e autoriteteve belge zbuluan se pas dobësimit të grupit "Yaramis" nga konfliktet e brendshme, Dizdari bashkëpunoi me eksponentë të tjerë për organizimin e nxjerrjes së ngarkesave të mëdha të lëndëve narkotike. Veçmas, prokuroria belge po trajton një tjetër procedim për dy transporte parash të kryera gjatë viteve 2020-2021 në interes të Dizdarit, me një vlerë totale prej 1.75 milionë eurosh.

Emri i tij është i njohur edhe për strukturat e SPAK në Shqipëri për lidhjet me “Kompania Bello”, ku Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi sekuestrimin e pasurive të tij. Ekstradimi u konfirmua edhe nga ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, e cila vlerësoi bashkëpunimin me Emiratet e Bashkuara Arabe si një hap kyç në goditjen e krimit të organizuar ndërkombëtar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit