

KRUJË / TIRANË – Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 23-vjeçari ka ndodhur në aksin rrugor Fushë-Krujë–Tiranë, në afërsi të fshatit Larushk, ndërsa autoambulanca që po transportonte të plagosurin është përfshirë më pas në një tjetër përplasje rrugore afër kryeqytetit.
Sipas të dhënave paraprake, aksidenti i parë ka ndodhur kur një automjet tip “Audi”, i drejtuar nga 18-vjeçari me iniciale M. S., dyshohet se ka bërë një parakalim të gabuar. Për të shmangur përplasjen me të, drejtuesi i një automjeti “Volkswagen” ka devijuar duke u përplasur me barrierat anësore të rrugës. Si pasojë e goditjes, ka humbur jetën në vend pasagjeri i mjetit, shtetasi egjiptian E. A., 23 vjeç, i cili punonte si mekanik në kompaninë e 18-vjeçarit.
Dramatizimi i ngjarjes ka vijuar gjatë transportit emergjent të të plagosurit drejt Tiranës. Autoambulanca e ndihmës së shpejtë është përplasur me një tjetër automjet në afërsi të hyrjes së kryeqytetit.
Nga përplasja e dytë nuk ka patur të dëmtuar mes stafit mjekësor apo pacientit. I plagosuri është marrë menjëherë nga një autoambulancë e Kamzës dhe është dërguar në Spitalin e Traumës për trajtim të specializuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të të dyja ngjarjeve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






