Transmetuar më 01-10-2026, 16:05

Bashkia e Tiranës ka intensifikuar verifikimin në terren të objekteve të palegalizuara, ndërsa mijëra matje janë përcjellë për shqyrtim pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Procesi i evidentimit dhe matjes së objekteve të palegalizuara në territorin e Tiranës ka vijuar gjatë javëve të fundit, në kuadër të bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).

Sipas bashkisë, në fokus janë veçanërisht rastet e qytetarëve që kanë aplikuar për legalizim, por me të cilët institucionet nuk kanë mundur të komunikojnë për shkak të ndryshimit ose mungesës së të dhënave të kontaktit.

Për këtë arsye, Drejtoria e Koordinimit dhe Legalizimit u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë kryer vetëdeklarimin për legalizim të paraqiten pranë Bashkisë së Tiranës ose njësive administrative përkatëse, për të përditësuar të dhënat dhe për të vijuar procedurat.

Drejtori i Drejtorisë së Koordinimit dhe Legalizimit, Shkëlqim Brahushi, ka deklaruar se një nga problematikat kryesore mbetet identifikimi i qytetarëve që kanë aplikuar më herët dhe nuk janë më të arritshëm në kontaktet e deklaruara.

Mbi 4,600 matje të përcjella në ASHK Të dhënat e bëra publike nga Bashkia e Tiranës tregojnë se deri tani janë depozituar pranë ASHK-së 4,677 matje.

Për rreth 60% të tyre, sipas bashkisë, janë dhënë tashmë vendimet përkatëse.

Në kuadër të këtij procesi janë matur gjithashtu 37 pallate, të cilat përfshijnë gjithsej 2,886 apartamente dhe njësi shërbimi. Për rreth 85% të këtyre njësive janë dhënë vendimet e legalizimit, ndërsa pjesa tjetër vijon të jetë në fazën e plotësimit të dokumentacionit.

Selita dhe zona e shinave të trenit Një prej zonave ku procesi i evidentimit ka avancuar është Selita. Sipas bashkisë, pjesa më e madhe e matjeve dhe verifikimeve në terren është përfunduar, ndërsa disa prej banorëve kanë nisur plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm.

Punimet në terren kanë vijuar edhe përgjatë zonës së shinave të trenit. Bashkia deklaron se edhe këtu procesi i evidentimit është pranë përfundimit dhe se dokumentacioni është përcjellë pranë drejtorive vendore të ASHK-së për shqyrtim dhe vijimin e procedurave që lidhen me vendimet e legalizimit.

Thirrja për qytetarët Strukturat e bashkisë u bëjnë thirrje qytetarëve që kanë kryer vetëdeklarimin për legalizim, por që ende nuk e kanë përfunduar procedurën, të kontaktojnë institucionet përkatëse.

Sipas Bashkisë së Tiranës, përditësimi i të dhënave të kontaktit dhe plotësimi i dokumentacionit janë të nevojshme për vijimin e procesit.

“Pothuajse e gjithë Tirana është zonë problematike, por qytetarët e kanë përqafuar këtë nismë. Është shpresa e tyre e fundit që së shpejti të përfundojë ky proces në të gjithë Tiranën”, është shprehur Brahushi.

Bashkia deklaron se puna në terren do të vijojë në bashkëpunim me ASHK-në, me synim përfundimin e procedurave brenda afateve ligjore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit