

TIRANË – Konferenca e Kryetarëve mblidhet ditën e sotme në orën 09:00 për të shqyrtuar kërkesën zyrtare të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat mbi shkarkimin dhe hetimet rreth ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni.
Kërkesa e opozitës vjen pas publikimit të të dhënave se Hyseni, gjatë ushtrimit të detyrës, dyshohet se ka furnizuar me informacione të klasifikuara shtetasin Ergys Agasi, i cili ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për disa vepra të rënda penale.
Në dokumentin e depozituar në Kuvend, Partia Demokratike kërkon llogaridhënie të plotë dhe hetim parlamentar mbi këto pika kyçe:
Përgjegjësia Politike e Kryeministrit: Shqyrtimi i procedurave dhe kriterit të ndjekur nga Kryeministri dhe strukturat shtetërore për përzgjedhjen, emërimin, mbikëqyrjen dhe largimin e drejtuesit të SHISH.
Cenimi i Sigurisë Kombëtare: Verifikimi urgjent nëse dhe deri në çfarë mase është komprometuar informacioni i klasifikuar shtetëror, si dhe masat e marra për mbrojtjen e personelit të shërbimit sekret.
Mekanizmat e Kontrollit: Vlerësimi i dështimit të strukturave ligjore të mbikëqyrjes dhe kontrollit parlamentar mbi institucionet e sigurisë kombëtare.
Opozita kërkon që Konferenca e Kryetarëve të caktojë menjëherë datën për zhvillimin e mocionit në seancë plenare, duke garantuar se debati parlamentar do të respektojë rregullat e mbrojtjes së sekretit shtetëror dhe pavarësinë e organeve të drejtësisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






