

HOMS / DAMASK – Shtatë persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur rëndë si pasojë e një sulmi të përgjakshëm me armë zjarri ndaj një autobusi në provincën Homs të Sirisë.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve SANA, mes viktimave përfshihen inxhinierë, punonjës të një kompanie private si dhe një zyrtar i Kompanisë Siriane të Energjisë Elektrike. Autorët e armatosur janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa deri më tani asnjë grup militant nuk ka marrë përsipër autorësinë e atentatit.
Përshkallëzimi i dhunës vjen në një moment të tensionuar për infrastrukturën energjetike të vendit. Vetëm pak orë përpara sulmit ndaj autobusit, një shpërthim i fuqishëm dëmtoi një tubacion gazi pranë një prej termocentraleve kryesore në rajonin e Damaskut, ngjarje kjo që pason një tjetër akt sabotazhi ndaj rrjetit të gazit në Sirinë lindore dy ditë më parë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






