Transmetuar më 30-09-2026, 20:04

TIRANË – Pas publikimit dhe shpërndarjes masive në rrjete sociale e portale online të disa materialeve intime që përfshijnë figura publike në Shqipëri, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e drejtuar nga Besnik Dervishi, ka reaguar zyrtarisht duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të tyre.

Komisioneri theksoi se të qenit figurë publike nuk do të thotë heqje dorë nga e drejta kushtetuese për privatësi dhe dinjitet njerëzor. Në reagim nënvizohet se kurioziteti i publikut për jetën intime të një individi nuk përbën në vetvete interes publik që mund të justifikojë publikimin e këtyre përmbajtjeve. Po ashtu, institucionalisht u sqarua se qarkullimi i mëparshëm i një materiali në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin apo rishpërndarjen e tij të mëtejshme.

Zyra e Komisionerit u bën thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të fshijnë çdo përmbajtje të publikuar në kundërshtim me Ligjin nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, duke paralajmëruar masa të rrepta administrative dhe penale për çdo person apo subjekt që kryen përpunim dhe shpërndarje të paligjshme të këtyre të dhënave.

Më poshtë vijon deklarata e plotë zyrtare e Zyrës së Komisionerit:

Deklarata e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale:

“Në vijim të publikimeve të fundit në media dhe rrjete sociale për materiale të pretenduara intime, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u bën thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të respektojnë jetën private dhe dinjitetin e çdo individi.

Ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” ndalon përpunimin e këtyre përmbajtjeve. Gjithashtu, publikimi dhe shpërndarja e tyre është e ndaluar.

Të qënit figurë publike nuk përbën heqje dorë nga e drejta për jetë private. Kurioziteti për jetën intime të një individi nuk mjafton për të justifikuar publikimin e saj si çështje me interes publik. Liria e shprehjes dhe e informimit duhet të ushtrohet duke respektuar kushtet e nenit 43 të ligjit, përfshirë domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe mbrojtjen e thelbit të të drejtave themelore.

Fakti që një material qarkullon në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin e tij. Çdo rishpërndarje mund të shtojë ekspozimin dhe dëmin ndaj personave të prekur dhe familjeve të tyre.

Çdokush që përpunon në mënyrë të paligjshme të dhëna personale është subjekt i masave administrative dhe penale.

Zyra e Komisionerit bën thirrje të ndërpritet publikimi dhe rishpërndarja e materialeve intime në kundërshtim me ligjin dhe të hiqen përmbajtjet e publikuara në mënyrë të paligjshme.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit