Transmetuar më 30-09-2026, 18:49

TIRANË – Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me masën e sigurisë të caktuar nga SPAK ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, si dhe nëse kjo çështje ishte diskutuar në takimin dypalësh.

Rama deklaroi se hetimet e nivelit të lartë dëshmojnë funksionimin e sistemit të ri të drejtësisë dhe se reagimet brenda vendit dallojnë nga mënyra se si i percepton ato Komisioni Evropian. Sipas tij, lufta pa kompromis kundër korrupsionit vlerësohet nga partnerët ndërkombëtarë si provë e transformimit institucional të Shqipërisë.

Lidhur me pretendimet për cenimin e sigurisë apo informacionit të klasifikuar, Kryeministri nënvizoi se nuk ka marrë asnjë shqetësim nga partnerët ndërkombëtarë dhe se çështja duhet t’i lihet vendimmarrjes së gjykatës.

Më poshtë është deklarata e plotë e Kryeministrit Edi Rama për këtë çështje:

“Duhet t’ia bëni pyetjen vetes pse Komisioni Europian, pse Bashkimi Europian, ngjarje që në vend trajtohen për të goditur dhe përhapur valë dëshpërimi, i shikon si arsye për ta konsideruar Shqipërinë një partner shumë serioz dhe një vend që aspiratat e veta i ka të lidhura me faktin e një përpjekjeje të përditshme në të gjitha aspektet dhe në këto aspekte me provat e një lufte pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit.

Duhet t’ia bëni këtë pyetje vetes, se ajo që nga shumëkush këtu shihet si regres, nga Bashkimi Europian duket si progres. Nuk është thjesht progres, por transformim. Jetojmë në një epokë transformimi si kurrë më parë. Për sa më takon, ne jemi më shumë se asnjëherë më parë në rrugën e duhur dhe, siç e thashë dhe po e përsëris dhe do ta përsëris sa herë të më jepet mundësia, deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot për herë të parë ky vend ka një sistem që po fiton aftësi vetëkorrigjuese, vetëpastruese, antikorrupsion, që i ka çdo sistem demokratik falë ndarjes së pushteteve, ku çdo pushtet bën punën e vet.

Sa i takon informacioneve sensitive, unë mendoj se i duhet lënë gjykatës dhe jo leximit sporadik të materialeve hetimore që nxirren për të bërë çorap opinionin. Prandaj mendoj që t’i lihen gjykatës të shohë nëse ka gjëra që kanë cenuar besueshmërinë me partnerët apo sigurinë kombëtare. Lajmi që kam për ju është që një shqetësim i tillë për këto materiale nuk na ka ardhur deri më tani nga asnjë partner.

Dhe patjetër që unë fola për partnerët që kanë mbetur pa fjalë, thashë janë ata në sistemin e sigurisë, jo për aleatët, por thashë për partnerët që merren me shërbimin. Është e paparë çështja në historinë e botës se si u trajtua. Pres që prokurorët të bëjnë punën e tyre, gjykata punën e vet dhe në fund do të dalë dhe rezultati.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit