Transmetuar më 30-09-2026, 18:43

TIRANË – Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila nisi nga Tirana turin e saj zyrtar në Ballkanin Perëndimor. Vizita vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, ku po diskutohet ecuria e negociatave, Plani i Rritjes dhe lufta kundër korrupsionit.

Më poshtë është deklarata e plotë e Kryeministrit Edi Rama gjatë kësaj konference:

“Privilegj i veçantë që ta presim presidenten në Shqipëri në këtë tur tradicional të rajonit. Nuk e di ekzaktësisht arsyen përse turi nis gjithnjë nga Tirana, por dua të besoj se nis nga ‘A’. Besoj po ashtu se përsëri në vizitën në Tiranë të presidentes dhe delegacionit të saj ka shumë përmbajtje pozitive në raport me objektivat e përbashkët që kemi.

Dua të konfirmoj edhe një herë edhe publikisht vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e një procesi që ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Përgatitemi që para fundit të këtij viti të nisim me mbylljen e kapitujve, për të vijuar më pas me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve në vitin e ardhshëm. Në programin e planit të rritjes ne kemi arritur të kapim disa objektiva ambiciozë dhe siç thashë me siguri presidentja do ta prekë këtë temë, sepse ky është një nga risitë e mandatit të saj të dytë.

Për rajonin ka ardhur si mbështetje e madhe jo vetëm në aspektin financiar, por mbi të gjitha në atë që quhet tashmë si një integrim gradual, pa pritur që gjithçka të vijë në fund të procesit. E kam informuar presidenten e Komisionit qoftë për ecurinë e projektit të madh që ka shkaktuar aq shumë interes po e quaj, ku tani jemi në fazën që presim së shpejti studimin e thelluar mjedisor.

E kemi informuar edhe hapat që kemi hedhur për transparencën dhe ndërveprimin me publikun me mjetet e reja teknologjike. Në ditët e ardhshme do të ndezim pasqyrën me transparencën e plotë të të gjitha dokumenteve dhe procesin për projektin e shumëdiskutuar (Zvërnecin).

Në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është pikë e palëvizshme për ne dhe BE, kemi konstatuar faktin se tanimë është e qartë se nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin. Faleminderit Ursula që je në Tiranë.”

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit