

BRUKSEL / MOSKË – Tensionet mes Rusisë dhe aleancës ushtarake të NATO-s janë përshkallëzuar sërish pas një note zyrtare të dërguar nga Moska përmes ambasadës së saj në Belgjikë. Nëpërmjet këtij dokumenti, Rusia paralajmëron se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak – përfshirë edhe armët bërthamore – për të mbrojtur enklavën strategjike të Kaliningradit.
Moska shpreh protestën e saj kundër stërvitjeve ushtarake të zhvilluara nga NATO në rajonin e Baltikut gjatë muajit gusht 2026, duke i cilësuar ato si simulime për marrjen e kontrollit të Kaliningradit dhe si një përshkallëzim që rrit rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë të armatosur. Kaliningradi, i cili ndodhet i izoluar mes Polonisë, Lituanisë dhe Detit Baltik, mbetet një pikë me rëndësi të lartë gjeopolitike pasi shërben si bazë kryesore për Flotën Ruse të Baltikut.
Pala e NATO-s konfirmoi marrjen e letrës dhe iu përgjigj prerazi retorikës ruse. Zëdhënësja e Aleancës, Allison Hart, e dënoi kërcënimin me forcë dhe retorikën bërthamore, duke nëvizuar se NATO ka kapacitetet e plota, gatishmërinë dhe vendosmërinë për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të vendeve anëtare ndaj çdo kërcënimi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






