Transmetuar më 30-09-2026, 15:01

Bashkia Lushnjë ka reaguar zyrtarisht pas ngordhjes masive të peshqve në rezervuarin e Kasharajt, duke njoftuar se ka depozituar kallëzim penal pranë Prokurorisë së Fierit ndaj bashkimit të kompanive që po kryejnë punimet për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit të rezervuarit.

Sipas Bashkisë, pas verifikimeve paraprake dyshohet se gjatë punimeve nuk janë marrë masat e nevojshme për menaxhimin e ujërave të rezervuarit, çka mund të ketë sjellë dëmtim të faunës dhe mjedisit në këtë ujëmbledhës. Institucioni thotë se kallëzimi synon zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Bashkia lidhet me mungesën e njoftimit nga kompania për rinisjen e punimeve. Sipas institucionit, punimet ishin ndërprerë më 9 shkurt, me kërkesë të vetë kompanisë, ndërsa në bazë të kontratës, përpara rinisjes së tyre në shtator, bashkimi i kompanive duhej të njoftonte institucionet publike, veçanërisht Bashkinë Lushnjë. Sipas Bashkisë, ky njoftim nuk është bërë.

Bashkia Lushnjë deklaron se do të bashkëpunojë me organet ligjzbatuese për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa i kërkon Prokurorisë të përcaktojë përgjegjësitë për situatën e krijuar në rezervuarin e Kasharajt. Hetimet pritet të përcaktojnë nëse shkeljet e pretenduara gjatë zbatimit të kontratës kanë lidhje me dëmtimin e faunës dhe mjedisit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit