

TIRANË — Çështja e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, do të rikthehet sërish në nivelet më të larta të sigurisë kombëtare.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Komisionit të Sigurisë, Bledi Çuçi, gjatë diskutimeve për zhvillimet e fundit në institucionet e inteligjencës.
Sipas tij, Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh të hënën me kërkesë të Presidentit për të marrë një informacion paraprak nga SHISH.
Në atë mbledhje i është lënë detyrë institucionit të kryejë një auditim të thelluar për të verifikuar pasojat e mundshme në funksionimin e tij.
Çuçi konfirmoi se Këshilli do të mblidhet sërish menjëherë sapo të përfundojë ky verifikim i brendshëm.
Kreu i Komisionit kërkoi që Prokurorisë t’i lihet kohë dhe qetësi për të hetuar deri në fund përfshirjen e ish-drejtoreshës.
Më pas, sipas tij, edhe Kuvendi do të përdorë mekanizmat e kontrollit për të thirrur në raportim drejtuesit e sigurisë.
Ndërkohë, opozita ka dorëzuar tashmë një kërkesë për mocion lidhur me skandalin.
Kjo kërkesë e Partisë Demokratike pritet të shqyrtohet gjatë mbledhjes së Kryetarëve në Kuvend.
Bledi Çuçi: “Në lidhje me këtë çështje, Presidenti mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare të hënën dhe aty pati një informacion paraprak nga SHISH. Po në Këshill u la detyra që të bëhet sa më shpejt një auditim i thellë në lidhje me ndonjë pasojë të mundshme, nëse ka, për funksionimin e SHISH dhe besoj se shumë shpejt do të kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku do të diskutohet edhe më gjerësisht pasi të jetë bërë ky auditim.”
Bledi Çuçi: “Edhe komisioni ynë ka një rol në këtë aspekt, por duhen ndjekur të gjitha hallkat shtetërore dhe së pari duhet lënë Prokuroria të hetojë deri në fund përfshirjen e ish-drejtoreshës së SHISH në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me sigurinë ose jo. Pasi të kemi një qetësim të situatës, edhe ne kemi instrumentet tona për të thirrur për të raportuar institucionet e sigurisë për këtë çështje. Ta bëjë Prokuroria e qetë punën e saj dhe të kalojmë këto filtra të informacionit që vijnë nga një institucion kaq i rëndësishëm siç është SHISH dhe pastaj jemi dhe ne. Me kohën do të sqarohen të gjitha përgjegjësitë e secilit, qoftë penale, qoftë administrative.”
Bledi Çuçi: “Për sa i takon iniciativave politike, jam informuar që PD ka bërë një kërkesë për mocion për këtë çështje dhe kjo çështje mendoj që do të diskutohet në mbledhjen e Kryetarëve, që në dijeninë time është lënë për nesër.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






