Transmetuar më 30-09-2026, 12:10

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të mërkurë një sërë ndryshimesh thelbësore në Kodin e Procedurës Penale, që synojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, jetës private dhe prezumimit të pafajësisë gjatë procesit hetimor.

Sipas kreut të qeverisë, reforma e re parashikon regjistrimin me zë dhe figurë të marrjeve në pyetje dhe veprimeve kryesore procedurale, ndërsa sanksionohet pavlefshmëria e plotë e deklaratave të marra nën presion apo dhunë. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar gjithashtu sekuestrimit dhe kontrollit të pajisjeve elektronike, si dhe menaxhimit të përgjimeve, ku garantohet se çdo material pa lidhje me hetimin do të asgjësohet.

Edi Rama: "Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore do të regjistrohen me zë dhe figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri duhet të tregojë si e ka marrë dhe sa e ka respektuar. Dhe shkruhet se deklarimet e marra me sjellje me presion apo dhunë nuk vlen. Ndryshimi i 4 vjen si domosdoshmëri për të mbrojtur jetën private në epokën teknologjike. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë për të parë dhe lexuar apo parë gjithçka. Për ata hapur duhet vendim i gjykatës…Në rast të urgjencës të përcaktuara nga ligji, veprimi vlerësohet nga gjykata. Çdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet. E njëjta gjë në lidhje me përgjimet, duhet të shikohet vetëm ato që kanë lidhje me hetimet. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim. Hetimet e fshehura në kohë nuk mund të jenë një rutinë në një shtet të së drejtës. Në gjyq do të shkojnë çështje që kanë perspektivë reale. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzat dhe mbrojtjen. Ndryshimi i gjashtë ka rëndësi sepse nxjerr prezumin e pafajësisë jashtë sallës së gjyqit. Gjyqi në Pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi."

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit