Transmetuar më 30-09-2026, 12:08

TIRANA- Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot paketën e garancive procedurale. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e paketës së re ligjore për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Rama tha se kjo është ndërhyrja e parë që trajton me kujdes prezumimin e pafajësisë. Duke u ndalur tek numri i lartë i personave të cilët janë në paraburgim, kryeministri tha se paketa e re synon të adresojë këtë problem përmes një qasjeje të integruar.

Kjo sipas tij, duke garantuar njëkohësisht një drejtësi të fortë në përballjen me krimin dhe korrupsionin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Rama tha se Shqipëria nuk mund të vazhdojë me shifra kaq të larta, pas të cilave ka jetë njerëzish, drama familjesh, trauma familjesh dhe dëme të pariparueshme jo vetëm për ata që i vuajnë, por edhe për shoqërinë.

Edi Rama: Bashkautorët e kanë quajtur paketa e garancive procedurale. Kjo është ndërhyrja e parë që trajton me kujdes prezumimin e pafajësisë. Nëse deri tani i kemi dhënë fuqi krahut të shtetit, sot i kemi dhënë forcën edhe krahut të të drejtës së njeriut. Në Shqipëri peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga ana e shtetit. Shqipëria mban barrën me të rëndë të paraburgimit në kontinentin e Europës. 62% e njerëzve në burgjet tona janë të paraburgosur, pra mbahen në burg për atë që akuzohen, mesatarja europiane ishte 26%. Duke siguruar mbështetjen financiare dhe logjistike, duke iu përkushtuar zbatimin të kësaj pakete si mision dinjiteti kombëtar. Si mund të pranojmë që krahasimi me Rusinë të jetë edhe më tronditës, atje në atdheun e represionit, ku paraburgimi vendoset rëndom me telefonatë, paraburgimi është 30%, as sa gjysma e Shqipërisë

Nuk mund të vazhdojmë me shifra të tilla, pas të cilave ka jetë njerëzish, drama familjesh, trauma familjesh dhe dëme të pariparueshme jo vetëm për ata që i vuajnë, por edhe për shoqërinë. Një politikë e tillë penale ka një impakt negativ jo vetëm te viktimat e drejtpërdrejta, por dhe mbi shoqërinë, që nuk bëhet asnjëherë më e mirë, kur peshorja e drejtësisë anon nga represioni shtetëror. Qëndrimi mesatar arrin 253 ditë kundrejt 155 në vendet e BE, ku për kohën e paraburgimit ka dhe kufizime që në Shqipëri mungojnë. Ndërsa në GJKKO kjo shifër ngrihet në shifrën e paimagjinueshme për Europën, 616 ditë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit