

LUSHNJË — Ka nisur operacioni i pastrimit në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë, ku mijëra peshq ngordhën si pasojë e zbrazjes së ujit gjatë punimeve për rikonstruksionin e digës dhe shkarkuesit.
Forcat e Armatosura, Bordi i Kullimit dhe Bashkia e Lushnjës janë angazhuar me mjete të rënda në terren për largimin e sasisë së peshqve të ngordhur dhe pastrimin e plotë të ujëmbledhësit. Paralelisht me punën në terren, policia ka vënë nën hetim shtetasin Fredi Mara, 58 vjeç, administrator i firmës kontraktore që po kryen rehabilitimin e veprës. Sipas organit të akuzës, kompania nuk mori masat e duhura për menaxhimin e ujërave gjatë punimeve, ndërsa hetimet po vijojnë për veprat penale të dëmtimit të habitateve dhe ndotjes së mjedisit.
Ermal Nufi: "Ka ndodhur që është zbrazur rezervuari dhe peshku ka dalë në sipërfaqe. Po punojmë me forcat e bashkisë dhe ato të Armatosura që të bëjmë të mundur të largojmë rrjetën që ka bllokuar veprën ujëdalëse. Në momentin që do të bëjmë të mundur që të lirohet kanali i bllokuar dhe uji që mbetet ende në basenin e rezervuarit, do të bëhet e mundur forca e të gjithë mjeteve për të pastruar rezervuarin e mbetur dhe peshkut. Besoj shumë shpejt, brenda ditës së sotme, maksimumi nesër, situata do të jetë normalizuar."
Nga ana tjetër, inxhinieri hidroteknik i Bordit të Kullimit Fier, Ferdinant Dervishi, ka deklaruar se zbrazja ishte e vetmja mënyrë për të hapur portat e bllokuara.
Ferdinant Dervishi: "Ky është rezervuar i kategorisë së parë, me rrezikshmëri të lartë, 3 porta sigurie. Në momentin që vjen pika e vdekjes, që mbushet kulla e marrjes së ujit, kjo vepër duhet të ngrihet që rezervuari të funksionojë. Me ndërhyrjen, do të arrihet mbilartësimi. E vetmja mënyrë është shkarkimi i rezervuarit. Kjo është e parashikuar edhe nga rregullorja që thotë çdo fund shtatori duhet të kontrollohen shkarkuesit, kullat e marrjes së ujit. Ndërhyrja është e domosdoshme, ndryshe do të shkaktonte katastrofë në qytetin e Lushnjës. Nuk ka mënyrë tjetër për hapjen e portave të ujit."
Në vendngjarje ka shkuar edhe Ministri i Bujqësisë, Andis Salla. I pyetur se kujt i takonte përgjegjësia për peshqit që ndodheshin në ujëmbledhës përpara zbrazjes së tij, ministri drejtoi gishtin nga pushteti vendor.
Andis Salla: “Kjo është totalisht e bashkisë. Ne jemi në ndihmë të bashkisë dhe për ta asistuar në të gjithë mënyrën me Bordin e Kullimit, me drejtorin e Peshkimit dhe gjithë stafin e Ministrisë së Bujqësisë.”
Sipas deklaratës së ministrit Salla, subjekti privat që kishte kontratën për shfrytëzimin e peshkut deri në vitin 2022 ishte njoftuar zyrtarisht nga bashkia për të bërë largimin e tij përpara se të niste ndërhyrja teknike në rezervuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






