

Operacioni “INVESTING” në rrugën e Kavajës. Policia ndërhyri në një ambient me poste pune, ku dyshohet se mashtroheshin qytetarë të vendeve të BE-së përmes platformave online. Katër persona u arrestuan, ndërsa pronari i ambientit u shpall në kërkim
Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të dyshuar mashtrimi përmes platformave online, duke arrestuar katër persona dhe shpallur në kërkim pronarin e ambientit ku zhvillohej aktiviteti.
Operacioni i koduar “INVESTING” u zhvillua në një ambient në Rrugën e Kavajës, i përshtatur me poste pune, ku sipas policisë dyshohet se mashtroheshin shtetas të vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Gjatë ndërhyrjes janë kapur në flagrancë Emirion Xhafaj, 40 vjeç, Genc Ndoni, 42 vjeç, Egzon Dervishi 32 vjeç dhe Erol Hyslihaka, 31 vjeç, të cilët më pas u arrestuan. Në ambient ndodhej edhe E. A., 23 vjeçe, e cila është proceduar në gjendje të lirë.
Nga hetimet rezultoi se ambienti ishte në pronësi të Taulant Beleraj, 45 vjeç, i cili dyshohet se e administronte në bashkëpunim me personat e tjerë për zhvillimin e aktivitetit të kundërligjshëm. Ai është shpallur në kërkim.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 13 njësi kompjuterike, 19 telefona celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me skemën e mashtrimit.
Operacioni u zhvillua nga strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, Krimeve Kibernetike dhe Forca e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit dhe për të përcaktuar shtrirjen e skemës së dyshuar të mashtrimit. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






