Transmetuar më 30-09-2026, 08:27

Shpërthime të fuqishme gjatë natës në Kiev dhe rrethina. Një fëmijë u gjet i pajetë nën rrënojat e shtëpisë së tij, ndërsa një grua humbi jetën në kryeqytet. Disa persona të tjerë janë plagosur dhe janë dërguar në spital

Kiev, Ukrainë – Një fëmijë dhe një grua kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ruse me raketa dhe dronë gjatë natës në Kiev dhe në rajonin përreth kryeqytetit ukrainas.

Trupi i një fëmije u nxor nga rrënojat e banesës së tij në qytetin Vyshgorod, vetëm pak kilometra larg Kievit, pasi ndërtesa u godit gjatë sulmit.

Tre persona të tjerë u nxorën të gjallë nga rrënojat. Mes tyre është një fëmijë që ka pësuar traumë të rëndë në kokë, një burrë me plagë nga copëzat në kokë dhe një grua me dëmtime në këmbë. Të tre janë transportuar në spital.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i administratës rajonale të Kievit, Timur Tkachenko.

Ndërkohë, autoritetet ushtarake lokale njoftuan se sulmet në kryeqytetin ukrainas shkaktuan edhe vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e katër personave të tjerë.

Gjatë natës në Kiev janë dëgjuar një seri shpërthimesh, ndërsa forcat ruse kanë përdorur edhe raketa balistike. Forcat ajrore ukrainase aktivizuan alarmin për sulm, ndërsa mbrojtja kundërajrore hyri në veprim.

Në disa zona të qytetit janë raportuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se ekipet e emergjencës po ndërhynin për shuarjen e një zjarri në një zonë banimi të distriktit Sviatoshynskyi. Përmasat e dëmeve nuk janë ende të qarta.

Sulmi vjen në një kohë kur tensionet diplomatike mbeten të larta. Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se një takim i zhvilluar në Nju Jork mes ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Rusisë kishte treguar, sipas tij, mungesë gatishmërie nga Moska për negociata serioze mbi luftën në Ukrainë. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit