

TIRANË – Ekzekutivi shqiptar disponon një gjendje likuiditeti prej rreth 12 miliardë lekësh (afërsisht 120 milionë euro) të pashpenzuara në llogarinë unike pranë Bankës së Shqipërisë. Fondi total i akumuluar në fillim të vitit nga suficiti i shpenzimeve kapitale të mosrealizuara kapte vlerën e 16 miliardë lekëve, nga ku deri tani janë tërhequr 4 miliardë lekë për mbulimin e politikave sociale. Pavarësisht disponueshmërisë së këtyre fondeve, Ministria e Financave nuk ka përcaktuar ende nëse pjesa e mbetur do të rialokohet për pensione gjatë vitit 2026 apo do të mbajë funksionin e parashikuar në ligjin e buxhetit për financimin e viteve pasardhëse.
Ndërkaq, kuadri i mbështetjes për pensionistët pritet të pësoi ndryshime të rëndësishme duke nisur nga 1 janari 2027. Sipas paralajmërimeve zyrtare nga Ministria e Ekonomisë, qeveria planifikon të dyfishojë masën e bonusit mujor — skemë kjo e zbatuar që prej fillimit të vitit 2026 në zëvendësim të shpërblimit tradicional të fundvitit. Me skemën e re, bonusi mujor për pensionet e plota të pleqërisë në qytet pritet të rritet nga 1,600 në 3,600 lekë në muaj, ndërsa rritje të ngjashme do të pësojnë edhe pensionet partiale urbane, ato rurale (që shkojnë në 2,000 lekë/muaj), si dhe pensionet e invaliditetit e ato familjare.
Paralelisht me bonuset mujore, autoritetet po vijojnë zbatimin e politikës së indeksimit vjetor. Pas indeksimit prej 2.7% të aplikuar në korrik 2026 nëpërmjet ndryshimeve buxhetore me Akt Normativ — nga i cili përfituan rreth 900 mijë qytetarë — për periudhën e ardhshme parashikohet një indeksim i mëtejshëm në nivelin deri në 3%. Sidoqoftë, vendimmarrja përfundimtare mbi përdorimin e 120 milionë eurove të mbetura në BSH do të varet nga balancimi i deficitit buxhetor dhe konsolidimi i paketës financiare për vitet e ardhshme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






