

SERBI – Agjencia serbe e Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA) ka ndërmarrë një aksion të befasishëm në dy qytete të ndryshme të vendit, duke arrestuar dy shtetas të dyshuar për veprimtari spiunazhi në favor të shërbimeve sekretet shqiptare dhe atyre të Kosovës. Operacioni i autoriteteve serbe të sigurisë është zhvilluar gjatë ditës së sotme paralelisht në zonën e Vranjës dhe në qytetin e Jagodinës, duke çuar në prangosjen e menjëhershme të të dyshuarve.
Të arrestuarit nga agjentët e BIA-s janë identifikuar nga mediat serbe si shtetasi D. C., 46 vjeç, me origjinë nga fshati Shillovë i komunës së Gjilanit (i prangosur në Vranjë), si dhe shtetasi N. P., 50 vjeç, banues në qytetin e Jagodinës. Që të dy këta persona akuzohen nga hetuesit vendas për bashkëpunim të fshehtë me agjenci të huaja të inteligjencës dhe mbledhje të të dhënave sensitive brenda territorit serb.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimi, të arrestuarit dyshohet se kishin krijuar një rrjet informativ për përcjelljen e të dhënave konfidenciale lidhur me pjesëtarët aktivë të BIA-s serbe dhe lëvizjet e tyre në terren. Këto informacione ushtarake e të sigurisë, sipas akuzës, u transmetoheshin drejtpërdrejt strukturave të inteligjencës së Shqipërisë, përfshirë Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), si dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Njësisë së Inteligjencës pranë Policisë së Kosovës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






