

TIRANË – Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e 44 deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kishin kundërshtuar zgjedhjen e Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.
Në vendimin e saj, Gjykata ka shqyrtuar disa prej pretendimeve të ngritura nga deputetët, përfshirë çështjen e mbështetjes së kandidaturës nga 28 deputetë, rregullin që një deputet mund të mbështesë vetëm një kandidat, interpretimin e nenit 72 të Rregullores së Kuvendit, si dhe pretendimin për ekzistencën e një marrëveshjeje politike mes shumicës dhe pakicës.
Sipas Gjykatës, këto pretendime nuk ngrenë çështje të nivelit kushtetues.
Deputetët e PD-së kishin kërkuar gjithashtu verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë së Avokatit të Popullit me funksionin, si dhe shqyrtimin e procedurës parlamentare që çoi në zgjedhjen e tij dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të 11 dhjetorit 2025.
Sa i përket kritereve të zgjedhjes, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Kuvendi ka diskrecion në vlerësimin profesional të kandidatëve për funksione kushtetuese, për sa kohë respektohen garancitë themelore procedurale dhe vendimmarrja nuk është arbitrare.
Në rastin konkret, Gjykata nuk konstatoi cenim të këtyre garancive.
Kushtetuesja rrëzoi edhe pretendimin për papajtueshmërinë e kandidatit me funksionin për shkak të veprimtarisë politike, duke e cilësuar këtë pretendim të pabazuar.
Një tjetër pretendim i opozitës lidhej me mbështetjen e kandidaturës në momentin e votimit. Sipas Gjykatës, kushti i mbështetjes nga 28 deputetë ishte përmbushur gjatë fazës së verifikimit të kandidaturave nga Komisioni i Ligjeve.
Për këtë arsye, tërheqja e mbështetjes nga disa deputetë pas përfundimit të kësaj faze nuk prodhonte më pasoja në procedurën parlamentare.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri rrëzimin e kërkesës së deputetëve të PD-së. Vendimi i arsyetuar pritet të publikohet brenda afateve ligjore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






