

BRUKSEL – Kryeministri Edi Rama ka folur për zhvillimin e turizmit, investimet strategjike dhe projektet e reja infrastrukturore gjatë pjesëmarrjes në samitin e Turizmit të organizuar nga Euronews në Bruksel.
Gjatë diskutimit, Rama u ndal te rritja e numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë, duke deklaruar se vendi po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga tregje të ndryshme ndërkombëtare.
“Synimi ynë është bota. Po punojmë, por ajo çfarë kam mësuar nga e gjithë kjo betejë, për të ndryshuar emrin duhet të ndryshosh vetveten. Një prej vendeve më të sigurta në Evropë. Cilësia e diellit është shumë më e lartë se e Brukselit. Kemi ushqim të shijshëm, njerëz mikpritës dhe në një hapësirë të vogël, dete, lumenj, male të mrekullueshme. Ka shumë larmi, saqë brenda 1 jave mund të përjetosh kaq shumë gjëra. Jemi shumë të lumtur që shohim kaq shumë turistë që mbërrijnë.
Po zbulojmë që të gjitha pjesët e botës po marrin pjesë në rritje. Kur nisëm këtë udhëtim transformues, numëronim 2 mln turistë dhe kjo shifër përfshinte edhe zyrtarët që bënin numërimin, se për çdo zyrtar që hynte e dilte, shënohej apo ishte pjesë e kësaj shifre. Paraardhësi im ishte turist kur u kthye në Shqipëri. Vitin e kaluar përfunduam me afro 12 mln të huaj, jo vetëm evropianë, japonezë, amerikano-latinë, australianë, kinezë, izraelitë, nga Lindja e Mesme”, tha Rama.
Aeroportet dhe infrastruktura
Kryeministri e lidhi rritjen e turizmit edhe me zhvillimin e infrastrukturës ajrore. Ai përmendi aeroportet ekzistuese dhe projektet për ndërtimin apo vënien në funksion të aeroporteve të tjera në zona të ndryshme të vendit.
“Ne nuk kemi infrastrukturën më të mirë në Evropë. Kemi një aeroport që për të 5-tin vit radhazi është me rritjen më të shpejtë në Evropë. I kemi lënë fqinjët për të 6-tin vit në shifra absolute. Tani do të hapim një aeroport të ri në Vlorë, po punojmë për një aeroport të tretë në jug, që do të jetë sezonal, ndërkohë që një i 4-t është në zonën malore, por s’po funksionon siç donim. Ne do të kemi dhe një aeroport për flamingot.
Shqipëria është vendi i shqiponjave. Nëse shqiponjat mund të fluturojnë të sigurta, ashtu dhe njerëzit. Në Shqipëri kemi një aeroport mbresëlënës që funksionon në çdo orë. Në një nga ditët e gushtit, arriti në 329 fluturime brenda 24 orëve”, tha Rama.
Sazani dhe Zvërneci, Rama flet për projektin e Atlantis
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe projekteve të mëdha turistike në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit. Rama tha se Shqipëria synon të tërheqë marka ndërkombëtare dhe investime të mëdha në sektorin e turizmit.
Kryeministri përmendi projektin e Atlantis dhe deklaroi se investimi i parashikuar në zonën mes ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Zvërnecit mund të arrijë deri në 6 miliardë euro.
“Po investojmë, për të sjellë investues që sjellin më lukses në botë. Sot kemi çdo markë hoteliere, 10 vite më parë ishte e pamundur. Tashmë është një histori krejt ndryshe. Në projektin e madh, që presim ta çojmë përpara me ndikimin në mjedis. Është Atlantis, që do jetë i pari në kontinentin tonë. Të duhet të përçosh një mesazh tjetër, që nuk vend nuk është ai që dëgjoni. Shqipëria është vendi me normën më të ulët të vjedhjeve në Europë, Britania është e para. Ky turist përçon mesazhin, ajo se çfarë ka ndodhur në këto vite të fundit, ka ndryshuar perceptimin. Nuk jemi më njolla e zezë e Europës, por jemi perla e vogël që ndriçon. Ne kemi po ashtu edhe kompani shqiptare, që janë në kushtet që të bëjnë hapin që po flasim, për një turizëm elitar, po me hotele mjaft luksoze të nivelit të lartë. Ne jemi një vend i vogël në zemër të Europës, ne duam që të jemi një copëz e vogël që shkëlqen në zemër të Europës. Sot ne jemi në përpjekje për të sjellë investimin më të madh në Europë, prej shumë vitesh, që komunikuar mes ishullit të Sazanit, dhe gadishullit të Zvërnecit mund të arrijë deri në 6 miliardë, sepse jemi hapur si vend, dhe se Shqipëria ka kushtet për të punuar me investuesit më të mëdhenj”, tha Rama.
Rama për interesin nga Katari dhe dhëndrin e Trump
Në diskutim u ngrit edhe çështja e interesit të investitorëve nga Katari dhe e Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, për projekte në Shqipëri.
Rama tha se interesi, sipas tij, lidhet me potencialin ekonomik dhe turistik të vendit dhe jo me zhvillimet politike në Shtetet e Bashkuara.
“Dhëndri i Donald Trump së bashku me kompani nga Katari e pa shumë tërheqëse që të investonte në Shqipëri. Biseda ka nisur në kohën kur nuk ishte e sigurt nëse Trump do të shkonte në burg apo në Shtëpinë e Bardhë, dhe nuk ka fare të bëjë me këtë, ka të bëjë me Shqipërinë e zhvilluar në aspektin turistik. Mënyra se si po zhvillohemi sot, nuk duhet të mbetet te stereotipet. Askush nuk e di se sa e ndotur është ajo lagunë dhe se sa problem kemi me të gjitha llojet e pemëve në atë zonë. Me sfidat që hasim sot duhet të jemi krijues dhe novatorë”, shtoi ai.
Protestat dhe platforma për transparencë
Rama foli edhe për protestat e zhvilluara në Tiranë, duke thënë se kundërshtimet kanë shërbyer, sipas tij, për të reflektuar mbi projektet dhe për të krijuar mekanizma të rinj transparence.
Kryeministri njoftoi për krijimin e platformës “Pasqyrë Albania”, përmes së cilës, sipas tij, qytetarët do të mund të kenë akses në dokumentacion dhe të përcjellin kërkesat e tyre.
“Na duhet që të merremi me nevojën e vendit që të ketë një jetë të mirë, rroga të larta, shërbime më të mira, një natyrë më të mirëruajtur. Këtë e bëjmë me të ardhura. Këto të ardhura vijnë nga investimi dhe krijimi i burimeve të reja. Ende nuk kemi vendosur të ndërtojmë bombë atomike, por gjëra të thjeshta. Prandaj duhet të kujdesemi për potencialin. Është ideologji kur thua ose zhvillimi ose konservimi. Unë them që këto mund të bashkëbisedojnë dhe të funksionojnë krah për krah, duke qenë të aftë për të nxjerrë më të mirën prej tyre.
Fakti që kemi protesta është shumë mirë. Kur protestat ishin në fillimet e tyre, ishte e qartë se shqiptarët duhet të përcillnin mesazhin. Ne ishim me protestues në biseda private, se më dërgonin mesazhe, pashë atje njerëz që ishin votuesit tanë. Dolëm nga kjo me një reflektim të ri se çfarë kishte për ne. Mes të tjerash, dolëm me pasqyrën inteligjente dhe për pak ditë do të kalojmë këtu dhe kjo do të fillojë duke shfaqur të gjitha dokumentet, proceset e çdo të vërtete për këtë projekt. Kjo pasqyrë do të shërbejë për kërkesat që qytetarët kanë për qeverinë”, tha Rama.
I pyetur nga moderatorja se përse një investim i tillë do të ndërmerrej pavarësisht rrezikut të perceptimit negativ për shkak të lidhjes së investitorit me Trumpin, Rama u përgjigj:
“Askush tjetër s’është dhëndri i Donald Trump-it. Kështu që askush tjetër nuk rrezikon që të gjendet nën projektorin e të majtëve, demokratëve, gazetarëve, liberalëve, etj., etj., që mezi presin që të gjejnë një arsye për të luftuar me Trump-in, në Europë, Amerikë, Tokë apo Hënë”.
Më tej, kryeministri këmbënguli se lidhja politike me Trumpin nuk është, sipas tij, arsyeja e interesit për investimin në Shqipëri.
“Arsyeja reale pse kanë ardhur s’është politike, nuk lidhet me Trump-in, por me faktin që dhëndri i Trumpit së bashku me një kompani të madhe nga Katari, e pa shumë tërheqëse të investonte në Shqipëri. Biseda ka nisur kur nuk ishte akoma e qartë nëse Trump do të shkonte në Shtëpinë e Bardhë apo në burg”, deklaroi kryeministri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






