

TIRANË — Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit lidhur me arrestimin e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën hetim nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Balla nëfshkroi se mazhoranca nuk i komenton përmbajtjet e dosjeve gjyqësore apo masat e marra nga organet e drejtësisë, duke ritheksuar qëndrimin se çdo zyrtar i përfshirë në hetime duhet të ndjekë rrugën ligjore në institucionet përkatëse.
"Unë bëj pjesë tek ata që nuk i komentojnë dosjet e SPAK-ut. Nuk kam komentuar as dosjet ku kam bërë vetë akuzë, si rasti i Sali Berishës, e s’kam komentuar asnjëherë përmbajtjen e tyre. Ne nuk hyjmë në meritën e dosjeve dhe çdo zyrtar duhet ta kontestojë kufizimin e lirisë në gjykatë. Partia Socialiste nuk është avokate mbrojtëse e askujt," deklaroi Balla.
Më tej, kreu i grupit parlamentar socialist u ndal te praktika e masave të paraburgimit në vendin tonë përpara dhënies së një vendimi përfundimtar nga gjykatat, duke kërkuar rishikimin e këtij standardi në përputhje me praktikat evropiane.
"Në rastin e personave me mandat parlamentar, Kuvendi i Shqipërisë e ka ushtruar të drejtën e dhënë nga sovrani. Shqipëria, sa i përket pjesës që lidhet me kufizimin e lirisë para vendimit të formës së prerë të gjykatës, duhet t’i japë fund kësaj praktike," përfundoi Balla.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






