

BRUKSEL — Komisioni Evropian pritet të miratojë dhe publikojë më 7 tetor strategjinë e re të zgjerimit, e cila parashikon kufizimin e disa të drejtave për shtetet që do t’i bashkohen në të ardhmen Bashkimit Evropian, përfshirë heqjen e përkohshme të të drejtës së vetos.
Sipas draftit të dokumentit strategjik, propozimet synojnë të parandalojnë bllokimin e proceseve vendimmarrëse brenda bllokut pas pranimit të anëtarëve të rinj. Plani parashikon që anëtarët e ardhshëm të zotohen paraprakisht për të mos përdorur të drejtën e vetos për çështje institucionale dhe për proceset e zgjerimeve të mëtejshme gjatë viteve të para të anëtarësimit.
Përveç kësaj, strategjia përfshin masa mbrojtëse financiare dhe institucionale që i japin të drejtë BE-së të pezullojë fondet apo të drejta të caktuara të anëtarësimit nëse një shtet i ri devijon nga detyrimet për sundimin e ligjit. Ndryshimet prekin gjithashtu përbërjen e Ekzekutivit Evropian, ku propozohet që numri i komisionerëve të reduktohet në dy të tretat e numrit të shteteve anëtare përmes një sistemi rotacioni.
Dokumenti propozon gjithashtu kalimin nga parimi i unanimitetit te votimi me shumicë të kualifikuar për hapat ndërmjetës të procesit të zgjerimit, siç janë hapja dhe mbyllja e kapitujve negociues, ndërsa unanimiteti do të mbetet kusht vetëm për vendimin përfundimtar të pranimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






