

TIRANË — Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet mbi dy të rinjtë e arrestuar për tentativë mashtrimi ndaj Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, prej të cilit u tentua të përfitim i shumës prej 100 mijë eurosh duke u prezantuar si zyrtari i lartë Taulant Balla.
Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, dy të prandagjosurit, Orest Balla dhe Edison Korra, kanë dhënë versione të ndryshme dhe kontradiktore për rolin e tyre në këtë skemë.
Shtetasi Orest Balla ka pretenduar se është kontaktuar në rrjetin social "Instagram" nga një person i panjohur, i cili i ka premtuar një shpërblim prej 2 mijë eurosh për të realizuar një kontakt telefonik. Ai ka deklaruar se nuk e njihte më parë të arrestuarin tjetër, Edison Korra, dhe se një person i paidentifikuar i ka dorëzuar një numër telefoni me të cilin më pas ka komunikuar me djalin e Armand Dukës.
Nga ana tjetër, Edison Korra ka dhënë një dëshmi të ndryshme, duke deklaruar se ka qenë vetë Balla ai që e ka kontaktuar në ambientet e një lokali për t’i propozuar marrjen e një porosie.
Për shkak të mospërputhjeve të thella në dëshmi, organet e hetimit dyshojnë se të arrestuarit po fshehin të vërtetën. Hetimet po vijojnë për identifikimin e personave që qëndrojnë pas komunikimeve dixhitale dhe për sqarimin e plotë të shkallës së implikimit të të arrestuarve në këtë skemë mashtrimi.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






