

Pamje tronditëse në Poloni. Një 14-vjeçare u godit nga një makinë teksa një ekip televiziv po raportonte live për një tjetër aksident fatal. Gazetari i kërkoi kameramanit të filmonte targën, ndërsa shoferi u kthye më vonë në vendngjarje
Një skenë tronditëse është regjistruar gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv në Poloni, ku një vajzë 14-vjeçare është përplasur nga një makinë ndërsa lëvizte me skuter elektrik.
Ngjarja ndodhi në Koscierzyna, në momentin kur gazetari i TVP, Milosz Sieliwonczyk, po raportonte pikërisht nga vendi i një tjetër aksidenti tragjik.
Në pamjet e transmetuara live, automjeti godet 14-vjeçaren, e përplas në xhamin e përparmë dhe më pas e hedh disa metra larg. Makina largohet nga vendi i ngjarjes drejt një rruge dytësore.
Gazetari tregoi se fillimisht dëgjoi një përplasje të fortë dhe britmën e kameramanit.
“Papritur dëgjova një përplasje pas meje dhe britmën e operatorit: ‘O Zot!’. Kur u ktheva, pashë një makinë që po largohej me xhamin e përparmë të thyer dhe një fëmijë të shtrirë në rrugë”, tha ai.
Sieliwonczyk i kërkoi operatorit të vazhdonte filmimin dhe të fokusonte targën e automjetit, në mënyrë që pamjet t’i viheshin në dispozicion policisë.
Më pas, gazetari dhe kameramani iu afruan vajzës për t’i dhënë ndihmë. Ajo nuk mund të ngrihej në këmbë, ndërsa në skuterin e saj kishte njolla gjaku.
Shërbimet e emergjencës u njoftuan menjëherë dhe mbërritën në vendngjarje brenda pak minutash. Vajza kërkoi të kontaktonte nënën e saj, e cila mbërriti pak më vonë.
14-vjeçarja u dërgua në spital për ekzaminime dhe, sipas raportimeve, fatmirësisht nuk ka pësuar dëmtime të rënda.
Disa minuta pas aksidentit, drejtuesi i automjetit u kthye në vendngjarje. Sipas gazetarit, ai zbriti nga makina dhe pyeti nëse kishte ndodhur diçka.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Gazetari ndodhej në atë zonë për të raportuar për një tjetër tragjedi, vdekjen e një fëmije 3-vjeçar, i cili ishte përplasur nga një automjet.
Fëmija ishte nxjerrë nga poshtë makinës nga prindërit e tij dhe iu nënshtrua përpjekjeve të gjata për reanimim nga zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Moment uderzenia samochodu w 14-latkę jadącą na hulajnodze elektrycznej uchwycony przez kamerę TVP Info ⤵️ https://t.co/Jldfuas0Ka
— tvp.info 🇵🇱 (@tvp_info) September 26, 2026
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






