Transmetuar më 29-09-2026, 12:00

Dy familje pritet të marrin përgjigje pas identifikimeve të reja me ADN, ndërsa kërkimet vazhdojnë në Kosovë dhe Serbi. Në Zubin Potok mbetet në proces identifikimi i 20 viktimave të tjera, ndërsa 1.577 persona figurojnë ende të zhdukur nga lufta

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Kosovë ka njoftuar për identifikimin e mbetjeve mortore të dy personave të zhdukur gjatë luftës, pas pranimit të dy raporteve të reja të ADN-së.

Komisioni ka sqaruar se këto identifikime nuk lidhen me zhvarrosjet e fundit në Kalludër të Vogël dhe Jabukë, në Zubin Potok, dhe as me ndonjë prej lokacioneve të tjera të adresuara gjatë këtij viti.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për mbetje mortore të zhvarrosura më herët dhe të depozituara në morgun e Institutit për Mjekësi Ligjore. Identifikimi është bërë pas rishqyrtimit të detajuar të mbetjeve dhe sigurimit të mostrave biologjike plotësuese nga familjarët e personave të zhdukur.

Raportet e ADN-së i janë përcjellë Institutit për Mjekësi Ligjore, i cili kryen verifikimet përkatëse dhe konfirmon zyrtarisht identifikimin. Familjet e dy personave pritet të njoftohen gjatë kësaj jave për rezultatet dhe procedurat e mëtejshme.

Ndërkohë, vazhdon procesi i identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura gjatë verës në tri varreza masive në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë, në Zubin Potok.

Deri tani janë konfirmuar identitetet e tri viktimave, Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut, ndërsa po punohet për identifikimin e 20 viktimave të tjera të gjetura në këto lokacione. Mostrat e mbetjeve janë dërguar për analiza të ADN-së në Hagë, pranë Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

Autoritetet kosovare po vijojnë kërkimet edhe në territorin e Serbisë. Aktualisht, vëmendja është përqendruar në fshatin Kozhle, në zonën e Novi Pazarit, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë zonë janë përcaktuar tri pika për vlerësim në terren, edhe mbi bazën e pamjeve satelitore.

Institucionet e Kosovës po kërkojnë gjithashtu nga Serbia qasje në lokacione të tjera të dyshuara, si dhe informacione nga arkivat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Sipas Kushtrim Garës, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, deri tani në territorin e Serbisë janë konfirmuar pesë varreza masive, në Batajnicë, Petrovo Sello, Peruçac, Rudnicë dhe Kizhevak, ku janë gjetur më shumë se 950 viktima të luftës në Kosovë.

Ai ka deklaruar se, nëse këto pesë lokacione janë pjesë e listës prej 16 varrezash masive të bërë publike në vitin 2001, mund të ekzistojnë të paktën edhe 11 lokacione të tjera të paadresuara në territorin e Serbisë.

Kërkimet vazhdojnë edhe brenda Kosovës, në zona të ndryshme, përfshirë Skenderajn, Mitrovicën e Veriut dhe rajonet e Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit