

TIRANË — Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka refuzuar kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për lejimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, në mbledhjen e parashikuar për t’u zhvilluar ditën e sotme në orën 15:00.
Këshilli Bashkiak i kishte përcjellë një kërkesë zyrtare SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku kërkohej prania fizike e Veliajt ose mundësimi i lidhjes me videokonferencë nga ambientet e paraburgimit ku ai ndodhet aktualisht, duke argumentuar se prania e tij ishte e nevojshme për shqyrtimin e çështjeve kyçe funksionale, përfshirë diskutimet mbi projektligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale. Në kërkesë u citua edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese i nëntorit 2025 lidhur me ushtrimin e përgjegjësive institucionale.
Mirëpo, organi i akuzës ka rrëzuar kërkesën duke u bazuar në ligjin nr. 81/2020 "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve", i cili përcakton kushtet rigoroze të regjimit dhe kufizimet ligjore për personat që ndodhen në masën e sigurimit "arrest në burg".
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






